Rei Meta djali i anëtares së KLP ka dhënë dëshminë e tij lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e djeshme në Vlorë.

Rei Meta pas sherrit me 55-vjeçarin Armando Meshau. Meshau ndërroi jetë pasi u godit me grushte nga Rei Meta, pas një konflikti me pronën i ndodhur mes tyre.

Dëshmia në polici e Rei Metës: “Nuk ka pasur qëllim që të vras 55-vjeçarin dhe se në kancelari ai me viktimën janë takuar rastësisht dhe se të dy do të printonin disa dokumente”.

Gjithashtu në dëshmi Rei Meta thotë se viktima, Armando Meshau e ka ofenduar i pari dhe ky e ka goditur kur konflikti ka agravuar. 33 vjeçari pretendon se ka goditur për vetëmbrojtje dhe se 55-vjecari e ka humbur jetën nga përplasja me tokën.

Shkaku i konfliktit në Vlorë:

Rei Meta kishte ndërhyrë si sekser për një prej pronave që biznesmeni i ndërtimit kishte interes, duke i premtuar garanci se do t’i zgjidhte punë. I riu kishte premtuar zgjidhje për pronën e Armando Meshaut, duke përdorur emrin e të ëmës, që është anëtarja e KLP-së, Nurihan Seiti Meta dhe për punën që do bënte do të përfitonte një apartament që do t’i falej nga ndërtuesi i njohur në Vlorë.

Por, 33-vjeçari nuk e kishte mbaruar punën si sekser dhe 55-vjeçari kishte zgjidhur çështjen me lidhje të tjera. Por 33-vjeçari pretendonte se ndërtuesi duhet t’i falte apartamentin dhe për këtë arsye nisi edhe konflikti mes tyre. 55-vjeçari kishte refuzuar t’ia kalonte në pronësi apartamentin Rei Metës dhe ditën e djeshme u përballën në një kancelari në Vlorë aty konflikti verbal degradoi në dhunë fizike, ku si pasojë 55-vjeçari humbi jetën.