Ish-kryediplomati serb, Zoran Milivojeviç ka komentuar vizitën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Greqi dhe mundësinë që Athina të lëvizë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke u shprehur se “rregull në diplomaci është që kurrë të mos thuash kurrë”. Kryeministri Kurti, do të marrë pjesë në darkën joformale të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Maximos. Ai është në mesin e të ftuarve të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili ka bërë bashkë liderët e rajonit me rastin e 20-vjetorit të Samitit të Selanikut.

Ndryshe prej pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës (Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qipro), shteti grek ka luajtur rolin më bashkëpunues diplomatik, duke dërguar e pritur delegacione qeveritare, prandaj për ish-diplomatin serb “gjithçka është e mundur” në këtë aspekt.
“Ata kanë ngritur në nivel ambasade zyrën ndërlidhëse që kanë në Prishtinë. Ministri i Jashtëm i Greqisë [Nikos Dendias] ka vizituar Prishtinën dy herë vitin e kaluar dhe këtë vit, prandaj politika greke ka qëndrim aktiv ndaj Kosovës si entitet, ndonëse nuk e kanë njohur si shtet”, ka thënë Millivojeviç, transmeton “Greek City Times”.

“Greqia nuk ka hapësirë tjetër për performancë dhe afirmim të interesave të saj strategjike përveç Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor, që ndoshta të përputhet me Turqinë, rivalin e saj kryesor, por edhe për të forcuar pozicionin e saj brenda BE-së dhe NATO-s”, ka shtuar Milivojeviç. Kërkesa e Kosovës për njohje ekziston në Athinë prej shumë vitesh. Qeveria e Greqisë gjithashtu është treguar mjaft e hapur për bashkëpunim, duke pritur delegacione kosovare dhe duke bërë shpesh vizita zyrtare në Prishtinë.

Greqia ka qenë për një kohë të gjatë “mosnjohëse e butë” – përderisa nuk ka lëvizur drejt njohjes aktuale, ajo ka qenë mjaft e ngrohtë dhe konstruktive ndaj Kosovës në aspektin praktik. Madje, ajo ka zhvilluar marrëdhënie më të afërta me Kosovën në krahasim me shumë shtete njohëse.