Mbi 100 albanologë shqiptarë e të huaj janë mbledhur në Prishtinë për të marrë pjesë në seminarin e 41-të ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.
Drejtuesit e tij por edhe përfaqësues institucionesh thanë se seminari është një ngjarje e rëndësishme shkencore e kulturore për Kosovën dhe gjithë shqiptarët në Evropën juglindore. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci vuri theksin tek roli i seminarit që në themelet e tij rreth 50 vjet më parë.
“Gjuha është pjesë thelbësore e kulturës së një populli dhe ka funksion të pazëvendësueshëm në rrafshin social dhe identitarë. Letërsia është shprehja e saj në formën artistike përmes fjalës së shkruar. Ndërkaq kultura i gërsheton të dyjat brenda traditave dhe vlerave të përbashkëta që lidhi një komb. Andaj edhe ky seminar ka përsipër rolin fisnik e jetik të rojtarit dhe promotorit të këtyre vlerave”, tha ajo. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, tha se gjuha shqipe është një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe këmbënguljes të një populli ndërsa bëri thirrje për angazhim në ruajtjen e gjuhës.
“Gjuha shqipe dhe letërsia e saj janë fije në mozaikun e ndërlikuar të kulturës globale. Ashtu siç e çmojmë trashëgiminë tonë gjuhësore le të ruajmë dhe mbrojmë trashëgiminë gjuhësore dhe kulturore të të tjerëve. Sfidat e rreziqet e gjuhës shqipe kërkojnë një përpjekje të bashkuar për të ruajtur jo vetëm një thesar gjuhësor por edhe lidhjet letrare dhe kulturore që ajo ka krijuar”, tha ambasadori britanik. Eron Spance nga Holanda që merret me studimin e gjuhëve krahasuese indoevropiane tha se veçoritë e gjuhës shqipe i kanë ngjallur interesim për të studiuar.
“Tërheqja ime kryesore për gjuhën shqipe që është krejtësisht e ndryshme prej shumicës së gjuhëve indo-evropiane, ajo është ende indo-evropiane dhe ju mund ta shihni qartë kur shikoni gramatikën, por thjesht ka kaq shumë veçori shtesë që nuk i shihni në të tjerat gjuhët indo-evropiane, kjo me të vërtetë më ka tërheq”, tha ai.
“Unë jam rritur në Zvicër ku kam shumë miq që vijnë nga Kosova dhe kanë pasur shumë ndikim në gjuhën dhe jam interesuar për të, prandaj kam studiuar gjuhët indo-europiane”, tha Aleksander Herm që është studiues i albanalogjinë në Zvicër. Pjesë e diskutimeve në seminar do të jetë edhe tema “Shqipja në rrezik”, pasi sipas organizatorëve kohëve të fundit vendet shqipfolëse po përballen me një zhvlerësim të dijes albanologjike. Drejtori i këtij seminari Bardh Rugova përmend disa nga rreziqet më të cilat po përballet gjuha shqipe.
“E para është se po rrezikohen varietetet e shqipes nëpër kolonitë shqiptare jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, po ashtu kemi një ngecje sa i përket zvogëlimit të departamenteve në botë ku mësohet shqipja edhe brenda këtu kemi njëfarë zhvlerësimi të dijes albanalogjike dhe kjo ndonjëherë bëhet me qëllim ndonjëherë bëhet për nevoja të vogla të interest që mund të ketë dikush”, tha zoti Rugova.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 dhe është mbajtur rregullisht deri në vitin 1991, kur ishte ndërprerë nga autoritetet serbe. Ne vitet 1995 e 1996 sesionet e tij u mbajtën në Tiranë, ndërsa nga viti 2000, seminari është rikthyer në Prishtinë. Studiuesit e çmojnë atë si një ndër projektet më frytdhënëse për zhvillimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.