Vlorë, 9 Gusht- Hapet Urgjenca e re e Spitalit Rajonal Vlorë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu së bashku me përfaqësuesit e Agjensisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvilim, Rajonit të Toskanës dhe Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, kanë inspektuar nga afër urgjencën e rikonstruktuar me kapacitete të zgjeruara, sipas standardeve bashkëkohore.
“Jam e kënaqur që në këtë kulm sezoni, ne i’a mbërritëm që të përfundojmë urgjencën, jo vetëm të zgjerojmë kapacitetet e urgjencës, me një numër të rritur shtretërish, me një triazh që tashmë është sipas parametrave europiane, për nga pikëpamja e hapësirave, e aparaturave, që do të përmirësojnë dhe të rrisin nivelin diagnostik dhe monitorues në Spitalin e Vlorës. Një model i shërbimit të urgjencës në Spitalin Rajonal të Vlorës, i cili do të replikohet si një model i mirëfilltë edhe në spitalet e tjera dhe ne do të vijojmë investimet në të gjithë vendin, nga Shkodra në Sarandë. Nga nesër kjo urgjencë do të jetë funksionale, duke ju shërbyer edhe turistëve të cilët janë të shumtë në këtë sezon në Vlorë, kështu që dhe kapacitetet e shtuara të Vlorës do të mundet të ofrojnë një standard të lartë të shërbimit për qytetarët e Vlorës, por edhe për pushuesit, që vijnë gjatë sezonit turistik”- u shpreh Ministrja Manastirliu.
Duke folur për fuqizimin e burimeve njerëzore dhe flotës së autoambulancave, Ministrja Manastirliu tha:
“Vijojmë sërish me investimet në Qendrën Kombetare të Urgjencës Mjekësore edhe këtë vit, duke shtuar numrin e autoambulancave si dhe pilotimin nëpërmjet një autoambulance me ekip të dedikuar mjekësor për vizitat në shtëpi, që është një tjetër projekt pilot, të cilin ne do ta iniciojmë falë mbështetjes së Koperacionit Italian dhe sigurisht do t’i zgjerojmë këto shërbime, që të rritet sa më shumë mbulimi në territor i shërbimit shëndetësor, aksesi dhe cilësia e shërbimeve”-tha Ministja Manastirliu.
Urgjenca e re në Spitalin e Vlorës do të vendosë një standard bashkëkohor për qytetarët, por edhe turistët, një investim i përbashkët i Qeverisë shqiptare dhe Agjencisë Italian për Bashkëpunim dhe Zhvillim. Përveç rikonstruksionit të ambienteve të urgjencës, do të garantohet edhe zbatimi i protokolleve dhe Procedurave Standarde Operacionale, duke nisur nga triazhimi i pacientëve, diagnostikimi, trajtimi dhe referimi i tyre në kohë pranë shërbimeve spitalore apo edhe për trajtime të specializuara në spitalet që ofrojnë shërbim terciar/universitar. Me fuqizimin dhe modernizimin e Urgjencës së Spitalit Rajonal Vlorë, do të kemi një pikë referimi jo vetëm për vizitorët e bashkisë Vlorë, por edhe të bashkive Sarandë dhe Himarë dhe turistëve në sezonin veror.
Home Lajme Aktualitet Hapet Urgjenca e re e Spitalit të Vlorës, Manastirliu: Dyfishohen kapacitetet, model...