Tre persona u vunë në pranga pasi tentuan të përfitonin një shumë të madhe parash, nëpërmjet mashtrimit, nga një shtetas (biznesmen), duke u prezantuar si zyrtarë të lartë të institucioneve ndërkohë shpallet në kërkim Florian Gjergji, i dyshuar si organizator i kësaj skeme mashtrimi
Njoftimi i policisë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe Stacionin e Policisë Farkë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve ekonomike, , në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Replay”, për identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të disa shtetasve të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin tentuar të mashtronin një biznesmen, për të përfituar shumën 35 000 euro.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi për veprën penale “Mashtrimi”, i shtetasve A. R., 34 vjeç, banues në Librazhd, G. Ç., 41 vjeç, banues në Skrapar, dhe Q. V., 22 vjeç, banues në Kukës.
Këta shtetas kanë tentuar të mashtrojnë një shtetas (biznesmen), për të përfituar shumën 35 000 euro, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë të institucioneve, me emra të ndryshëm.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim shtetasi F. Gj., 40 vjeç, i dyshuar si organizator i kësaj skeme mashtrimi. Vijon puna për kapjen e shtetasit F. Gj.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete dhe 5 aparate celulare.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.