Rocco Vata, djali i ish-kapitenit të kombëtares së Shqipërisë, Rudi Vata është një nga emrat më të lakuar të dy klubeve italiane, Hellas Verona dhe Torino. I pari që shfaqi interes për 18-vjeçarin ishte klubi torinez, por tashmë garës për mesfushorin me tipare ofensive i është bashkuar edhe Verona.
Vata konsiderohet si një prej lojtarëve më të talentuar të brezit të tij në Irlandë. Djaloshi është rritur tek gjigandët e futbollit skocez, Celtic-u i Glasgowt dhe ia ka dalë madje të debutojë me ekipin e parë duke regjistruar edhe katër prezenca.
Tashmë, me një vit të mbetur në kontratë me Celticun, Verona dhe Torino po mundohen ta transferojnë Vatën që këtë merkato në elitën e futbollit italian, Serie A. Vata është gjithashtu pjesë e Iralndës U21 ndërsa ka qenë pjesë e të gjithë ekipeve zinxhir të kombëtares irlandeze duke nisur nga ajo U15.