Ish kryetari i PS-së prej të enjtes, 24 gusht 2023, ndodhet i shtruar në një spital privat në Tiranë. Ish kryeministri u shoqërua me ambulancë nga shtëpia e tij në spital pasi kishte pasur probleme me frymëmarrjen.
Lajmi u bë i ditur vetëm dy ditë më parë ku u mësua se Nano ishte i intubuar në reanimacion, por gjendja e tij mbetej e stabilizuar megjithëse me prognozë të rezervuar.
Burime për mediat bëjnë me dije se ish kryeministri Fatos Nano ndodhet ende në reanimacion, por gjendja e tij është stabël.
Ish kryeministri Fatos Nano ka pasur probleme me shëndetin edhe dy vjet më parë. Më 28 maj të 2021-shit, Nano u paraqit në spitalin e Tiranës për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Xhoana Nano. Fatos Nano aktualisht në moshën 70 vjeçare ka qenë 3 herë kryeministër i Shqipërisë. Themeluesi dhe kreu i parë i Partisë Socialiste të Shqipërisë u shkëput nga politika në vitin 2005.
Nano ka qenë kryetar i Partisë Socialiste që nga 12 qershori i vitit 1991 e deri në vitin 2005, periudhë në të cilën shërbeu edhe si kryeministër i Republikës së Shqipërisë.