Autori i plagosjes së efektivit të policisë në Himarë është arrestuar pas 8 orë ndjekje nga efektivët.
60-vjeçari Thodhor Mërkuri u gjet brenda një ish-reparti ushtarak në fshatin Pilur.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së martës (15 gusht) në Pilur, ku efektivi, i cili jashtë shërbimit, ndërhyri për të ndarë një sherr mes disa personave.
Por punonjësi i policisë Redin Caushaj është goditur me thikë nga 60-vjeçari, i cili pas ngjarjes u arratis dhe u vendos në pranga mëngjesin e sotëm (16 gusht) nga uniformat blu në ambientet e ish-repartit ushtarak në fshatin Pilur.
25 vjeçari, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Lukovë, ndodhet në gjendje të rëndë.
Njoftimi i policisë:
Plagosi rëndë me mjet prerës, punonjësin e Policisë, i cili ishte jashtë shërbimit, por ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e një konflikti, pas 8 orësh ndjekje nga Policia, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 60-vjeçari.
Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në fshatin Pilur, ku mbeti i plagosur rëndë me mjet prerës një punonjës policie 25 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Lukovë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, shërbimet operacionale të DVP Vlorë dhe grupe të FNSH-së, kanë organizuar punën për kapjen e autorit.
Pas 8 orësh kërkime dhe ndjekje, shërbimet e Policisë, mëngjesin e sotëm, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga 60-vjeçarin Th. M., i cili ishte fshehur në ambientet e ish-repartit ushtarak në fshatin Pilur.
Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Jetës të DVP Vlorë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, kanë arrestuar në flagrancë 60-vjeçarin Th. M., për veprën penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë.
Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. P., 39 vjeç, banues në fshatin Pilur, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Ngjarja/Rreth orës 23:00 të datës 15.08.2023, te kthesa e fshatit Pilur, disa shtetas kanë qenë duke u konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin. Në momentin që po ndodhte konflikti, punonjësi i Policisë, shtetasi R. C., 25 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Lukovë, jashtë orarit të shërbimit, ka qenë duke kaluar në rrugë dhe ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.
Gjatë përpjekjes së punonjësit të Policisë, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, shtetasi Th. M. e ka goditur me mjet prerës thikë punonjësin e Policisë, i cili ndodhet në gjendje të rëndë.