Efekti i rritjes së çmimeve në sezonin turistik, ndryshon hartën e pushimeve për italianët. Deri në 30% regjistrohet rënia e kërkesës për destinacionet kryesore vendase. Pushuesit italianë tashmë kanë në qendër të vëmendjes Spanjën, Tunizinë dhe Egjiptin, por edhe destinacione të reja si Shqipëria dhe Mali i Zi. Ndërsa, Lindja e Largët është rikthyer për udhëtime të gjata, me Japoninë në krye. Por kjo zhvendosje e pushuesve, sipas ekspertëve pritet të ketë ndikim negative në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit.
“Shpresojmë në kontributin e turizmit dhe më pas në rimëkëmbjen e industrisë”, tha ministri i Ekonomisë Giancarlo Giorgetti, duke komentuar rënien ciklike të PBB-së prej 0.3% në tremujorin e dytë. Por, nga ana e biznesit, bëhen komente më të kujdesshme. Sipas federatës kombëtare të turizmit pavarësisht rritjes me 4% të ardhjes nga jashtë të turistëve, ky sezon nuk do të jetë në kapacitet të plotë. Krahas rritjes së çmimeve, një faktor që ka ndikuar është edhe ndikimi mjedisor, me temperaturat që regjistruan rekorde.
Rritja e inflacionit ka gërryer fuqinë blerëse të turistëve dhe detyruar kompanitë të rishikojnë rritjen e çmimeve. Sipas përfaqësuesve të biznesit duhet të reflektohet mbi ngadalësimin që po regjistron kërkesa, pasi bilanci përfundimtar për pesë muajt e parë të 2023 tregoi një rritje të përgjithshme prej 15% të pranisë turistike. Ata mendojnë se duhet mbështetur kërkesa turistike me lehtësime taksash dhe thjeshtime për të kundërbalancuar tensionet inflacioniste dhe alarmin mjedisor.
Të shqetësuar shprehen edhe përfaëqësues të sektorit të hotelerisë, sipas të cilëve vera 2023 nuk po jep një performancë të mirë për sa i përket tregut të brendshëm. Në thelb turizmi italian ka pësuar një rënie, ndërsa rezultatet më të mira shihen nga hyrjet e vizitorëve të huaj. Sipas tyre italianët preferojnë makinat për të lëvizur, shenjë se udhëtimet me tren dhe avion janë shtrenjtuar ndjeshëm. Parashikimet tregojnë, se gushti do të regjistrojë një rënie prej të paktën 800 mijë vizitorësh krahasuar me vitin 2022.
Sipas vlerësimeve të shoqatave të konsumatorëve, më shumë se një italian në 10 do të heqë dorë nga udhëtimet dhe pushimet për shkak të çmimeve të larta, ndërsa llogaritet se për shkak të inflacionit të lartë të ardhurat e tyre kanë rënë me 2 mijë euro.