Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka njoftuar vendosjen nën kontroll të flakëve në malin e Shpiragut. Sipas Peleshit, 100 efektivë të Forcave të Armatosura po punojnë me intensitet deri në shuarjen përfundimtare të zjarrit.

“Situata është nën kontroll dhe zjarri po shkon drejt izolimit të plotë në malin e Shpiragut, në bashkinë e Beratit. Në mbështetje të forcave në terren u angazhuan edhe 50 trupa të tjerë nga reparti i Poshnjes, duke e çuar në 100 numrin e efektivëve të Forcave të Armatosura që po punojnë me intensitet deri në shuarjen përfundimtare të tij”- thuhet në njoftimin e Mbrojtjes.

Për shkak të terrenit të vështirë që nuk mundëson ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse, helikopteri Cougar ka ardhur në ndihmë që në orët e para të mëngjesit, duke vijuar gjatë gjithë ditës ndërhyrjen nga ajri. Pavarësisht punës në kushte ekstreme, dhjetëra forca të ushtrisë ja kanë dalë të izolonin flakët dhe tashmë pritet shuarja përfundimtare e tyre.