Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për emisionin italian “L’aria che Tira” në LA7, ku ka folur për sezonin e ‘artë’ turistik të Shqipërisë, lidhjen me Italinë por edhe për rrugëtimin e vendit drejt BE-së. Duke komentuar shifrat e larta të numrit të vizitorëve të huaj, kreu i qeverisë thotë se Shqipëria është çliruar nga stigma e viteve ’90, ku shihej si një vend jo i sigurtë dhe me kriminelë.
Kryeministri komenton gjithashtu edhe postimin e pak ditëve më parë që shkaktoi diskutime, një meme me në thelb dy ngjarje: anijen Vlora me migrantët që zbarkonin në Bari në vitin 1991 dhe italianët që tashmë ‘dynden’ drejt vendit tonë për të kaluar pushimet.
Intervista e plotë e kryeministrit Rama:
Kryeministri Edi Rama intervistë për emisionin “L’aria che Tira” në LA7
Vendi yt po përjeton një sezon të artë për sa i përket turizmit, me një rritje prej 33% të vizitorëve. Cili është sekreti i suksesit tuaj dhe si keni arritur t’i ofroni vendit tuaj këtë imazh kaq tërheqës?
Kryeministri Edi Rama: Nuk është një sekret, është një punë e bërë me shumë pasion, me shumë durim në vitet e fundit, që mendoj se kemi arritur të çlirohemi nga stigma që na u ngjit në vitet 1990, kur shiheshim si një vend që nuk guxoje mbi të gjitha të shkoje, sepse ishte “një vend jo i sigurtë”, “një vend plot me kriminelë”, “me të varfër”. Ndërsa, për t’iu dhënë një shifër që ndoshta nuk e dini, Shqipëria është vendi i fundit në Evropë për vjedhje banesash, sa për t’iu dhënë idenë e sigurisë, se pastaj për italianët, Shqipëria është shtëpia e tyre, pasi ne ndihemi italianë dhe ndihemi të lidhur me Italinë.
Shumë italianë po zgjedhin Shqipërinë për të kaluar pushimet pasi vendi garanton plazhe të mrekullueshme dhe tokën e ëndërruar dhe çmime konkurruese, modeli është ai i një turizmi low-cost?
Kryeministri Edi Rama: Low-cost është fillimisht, pasi në Shqipëri çmimet do të rriten sepse është e natyrshme. Ne jemi shumë të vetëdijshëm se ky turizmi i masës sjell vetvetiu “punën e ambasadorëve” të vendit, që flasin mirë dhe na ndihmojnë për ta forcuar këtë imazh të ri, por ai ka edhe rreziqe të mëdha. Ne po punojmë për resorte që janë luksoze, po sidoqoftë do të na duhen vite. Pra kjo e sotmja nuk është zgjedhje, është një rrugëtim, e në këtë rrugëtim përfshihen edhe çmimet e ulëta.
Një postim që ka nxitur shumë diskutime ku ju vendosni përballë dy ngjarje, anijen Vlora me migrantët që zbarkonin në Bari në vitin 1991 dhe nga ana tjetër italianët që vizitonin vendin tuaj. Sa ka ndryshuar Shqipëria që nga viti 1991?
Kryeministri Edi Rama: Mbi të gjitha dua të them se jeni vendi i shumë gjërave të mrekullueshme. Tani në vend që ta merrni me pak humor, po e merrni çdo gjë seriozisht dhe po bëni polemika për çdo gjë. Në fakt ajo ishte një meme, dhe unë rashë në kurth, pasi ma dërguan dhe mendova se ishte vërtet Corriere della Sera që e kishte bërë këtë meme për këtë situatë. Pastaj me të rinjtë e mi të rrjeteve sociale thamë le ta postojmë për të bërë një shaka, e pas kësaj pati polemika si në Shqiperi dhe në Itali. Në Itali thanë ironizova italianët në Shqipëri thanë ironizova shqiptarët. Ky është një moment i lumtur i historisë sonë, prandaj le të qeshim me shakanë.
Edhe une qesha pasi për shumë vite, Italia ka qenë për popullin shqiptar njëfarë Eldorado, kurse tani dukeni më hezitues (ndaj Italisë).
Kryeministri Edi Rama: Jo, këtë e thoni ju sepse keni nevojë për polemika. Ne ju shohim gjithmonë si vendi ku ne bëjmë pjesë për një apo një tjetër arsye historike, kulturore, madje dhe prej ngjashmërisë pothuajse gjenetike, ne ndihemi pothuajse italianë. Në Itali ndihemi si në shtëpinë tonë, ne e duam Italinë, i duam italianët, dhe nuk na pëlqen t’ju shohim të vrenjtur po të qeshur. Dhe Italia është mëse e bukur, je i bekuar nga zoti nëse je italian dhe jeton në atë vend të mrekullueshëm.
Ju jeni kryeministër socialist, si e shihni ju, duke theksuar që ekziston një miqësi e gjatë mes Shqipërisë dhe Italisë, Italinë e drejtuar nga Giorgia Meloni?
Kryeministri Edi Rama: Italia është Italia, qoftë ajo e Giorgia Melonit, apo e Romano Prodit, Silvio Berlusconi-t, Mario Draghi-t, mbetet gjithmone Italia, me problemet e saj që të gjithë përpiqen t’i zgjidhin dhe të bëjnë më të mirën e tyre. Unë jam socialist, por përveçse jam një socialist, unë jam një vëlla i vjetër i Italisë, dhe kështu ndihem shumë afër Xhorxhias dhe më duket se ajo është një motër e re e Shqipërisë. Ne kuptohemi shumë mirë, nuk ka lidhje nëse je socialist apo demokrat apo i ndonjë prirjeje tjetër, duhet të bëhen ato zgjedhje që i duhen vendit pa rënë në kurthin e ideologjive, se ashtu nuk shkon dot askund.
Shqipëria prej kohesh pret të dëgjohet në Komisionin Evropian për të qenë anëtare, pse po angazhohet kaq shumë dhe mendon se Evropës i intereson më shumë të hapë kanalet preferenciale për Ukrainën?
Kryeministri Edi Rama: Ne kemi lindur me këtë ëndërr, e për herë të parë në historinë tonë të qindra vjetëve, ne na është dhënë mundësia të zgjedhim. Deri dje ishin të tjerët që zgjidhnin për ne, perandori, regjime, diktaturë dhe me radhë. Për herë të parë na ka takuar që ne të zgjedhim dhe zgjedhja jonë është shumë e qartë. Duam të jemi pjesë e Evropës, është ëndërra jonë dhe jemi vendi me euro-optimist i kontinentit. Sot për sot, mbase jemi si të dashuruar që duam të martohemi me çdo kusht, mbase më vonë gjërat mund të bëhen më komplekse. Por për momentin duam të jemi pjesë e Evropës, dhe Italia është aleati më i qenësishëm i yni. Dhe Giorgia kur shfaqet dhe flet në skenën ndërkombëtare, duket më e gjatë se unë. Ne do të vazhdojmë me aleancën tonë, do të vazhdojmë me këtë miqësi, Italia është aty për ne dhe ne ndihemi të bekuar që jemi afër jush.
Kryeministri Rama është një ish-basketbollist, prandaj kur i referohet Giorgia Melonit si më e gjatë po bën një kompliment të madh.
Kryeministri Edi Rama: Eshtë e vërtetë, ajo është kaq e respektuar dhe më duket se është surpriza më e madhe për klubin euroatlantik që qartësisht nuk e priste, dhe tani gjendet përballë kësaj gruaje që ka një karizmë, që është e pabesueshme.
Lidhur me çështjen e migrantëve në Detin Mesdhe ku vazhdon ende të vdesin njerëz, dua t’ju pyes si kryeministri i një vendi që ka patur një histori të gjatë të migracionit, sipas jush a duhet të punojë Evropa për të garantuar të drejtën për të mos u nisur apo të vendosë në zbatim një operacion për të shpëtuar të gjitha jetët që kalojnë detin?
Kryeministri Edi Rama: Ky është një problem i vjetër, i qartë, për fat të keq pasqyron një Evropë që nuk arrin të shikojë gjithmonë drejt, dhe kthehet në anën tjetër kur ka çështje të nxehta si këto dhe çfarë bën në këtë rast? Ia lë çdo gjë Italisë! Fakti që Italia është vendi i parë i ankorimit në tokë, nuk mund të bëhet mallkim për një vend të tërë dhe nëse Evropa është e bashkuar, nëse Evropa është e përbashkët, ky është një problem për Evropën dhe jo një problem thjesht për Italinë. Këtë ju e dini, e keni thënë për vite, po nuk është e lehtë, sepse Evropa shpeshherë është e zonja të japë leksione dhe të bējë moral, kur nuk është nevoja të vendosësh fytyrën. Dhe kur e vendos fytyrën Italia, disa kthehen në anën tjetër dhe rikthehen vetëm për të bërë moral.
Nga miqësia që keni konfirmuar me popullin italian dhe vendin tonë ndiej t’ju them se e meritoni gjithë këtë boom të turizmit. Faleminderit dhe paçi fat!