Paralajmërimet ishin aty. Spekulimet për fatin përfundimtar të Yevgeny Prigozhin filluan menjëherë pas marshimit të tij në Rusi kundër Putinit, dy muaj më parë.
Shefi i Wagner arriti ti mbijetojë kryengritjes së tij të dështuar, por shumë kishin shprehur dyshime për të ardhmen e tij. Dy muaj pas kryengritjes së ndërprerë, avioni i liderit mercenar ra nga qielli dhe më pas u konfirmua se kishte vdekur në aksident, përmes testimit gjenetik.
Nuk ka asnjë provë konkrete që tregon për përfshirjen e Kremlinit në vdekjen e tij dhe zyrtarisht shkaku i rrëzimit nuk dihet.
Ajo që dihet është se shefi mercenar, dikur një nga oligarkët më të fuqishëm të vendit dhe një anëtar i rrethit të brendshëm të besuar të Putinit, i është bashkuar një liste gjithnjë në rritje të rusëve të profilit të lartë që kanë rënë nga hiret e mira të presidentit dhe kanë vdekur në rrethana misterioze, shkruan CNN.
Bill Browder, një kritik i Putinit dhe investitori më i madh i huaj në Rusi përpara se të dëbohej nga vendi në 2005, tha në një postim në X, i njohur më parë si Twitter, se “Putini nuk fal dhe nuk harron kurrë”.
Nga rrëzimet aksidentale nga dritaret tek varjet, helmimet dhe problemet shëndetësore, fatet e disa prej atyre që guxuan të sfidonin Kremlinin janë të panumërta.
Boris Nemtsov
Boris Nemtsov, një kritik i zëshëm i Kremlinit, i cili ishte zëvendëskryeministër në fund të viteve 1990 nën Presidentin Boris Yeltsin, u qëllua për vdekje në shkurt 2015 teksa ecte me të dashurën e tij në qendër të Moskës.
Në një intervistë me revistën Newsweek vetëm disa orë para vdekjes së tij, Nemtsov tha se Rusia po “mbytej” nën udhëheqjen e Putinit dhe po shndërrohej me shpejtësi në një shtet fashist.
Vdekja e Nemtsov erdhi dy ditë përpara se ai të pritej të drejtonte një tubim të opozitës në kryeqytetin rus.
Boris Berezovski
Boris Berezovsky ishte biznesmen i fuqishëm rus, i cili pasi “u përplas” me Kremlinin dhe iku në Angli filloi agjitacionin kundër Putinit dhe madje bëri thirrje për një grusht shteti për të rrëzuar presidentin rus.
Berezovsky u dënua për mashtrim dhe evazion fiskal në mungesë nga një gjykatë ruse në vitin 2007. Ai gjithashtu akuzoi Rusinë për përpjekje për ta vrarë atë. Berezovsky u gjet i vdekur në dyshemenë e banjës së shtëpisë së tij në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2013 me një lak rreth qafës. Policia britanike tha në atë kohë se nuk kishte shenja lufte dhe deklaruan se ai mund tw ishte vetëvrarë.
Alexander Perepilichnyy
Alexander Perepilichnyy ishte një financier që siguroi prova të mashtrimit të supozuar kundër zyrtarëve tatimorë rusë. Ai vdiq papritur në vitin 2012 në moshën 44-vjeçare ndërsa po vraponte për në shtëpinë e tij në Surrey, në jugperëndim të Londrës. Fillimisht u duk se ai kishte vdekur për shkaqe natyrore, por në vitin 2015, ekspertët e toksikologjisë së bimëve në Kew zbuluan se në stomakun e tij u gjetën gjurmë të një helmi të rrallë bimor – gelsemium. Dy vjet më vonë, pati dyshime se helmi mund të ishte futur në supë me lëpjetë, një pjatë popullore ruse që ai kishte ngrënë pak para vdekjes së tij.
Në kohën e vdekjes së tij, Perepilichnyy po ndihmonte në një rast për të zbuluar një operacion rus të pastrimit të parave multimilionëshe.
Sergei Magnitsky
Avokati rus Sergei Magnitsky vdiq në një burg rus në vitin 2009. Ai punoi për Hermitage Capital, një firmë investimi e drejtuar nga financuesi me origjinë amerikane, Bill Browder, dhe ndihmoi në zbulimin e një mashtrimi tatimor prej 230 milionë dollarësh ku kishte prova që zyrtarët e qeverisë ruse ishin të përfshirë në kryerjen dhe më pas në fshehjen e tij.
Menjëherë pasi ai i bëri ato zbulime publike në vitin 2008, Magnitsky u arrestua me akuza të veçanta për mashtrim tatimor. Ai vdiq një vit më vonë, ndërsa ishte ende në paraburgim. Familja e tij tha se kujdesi thelbësor mjekësor ishte i ndaluar, ndërsa një raport i komisionit presidencial rus për të drejtat e njeriut, gjeti prova se ai ishte rrahur në ditën kur vdiq.
Alexander Litvinenko
Një hetim britanik përcaktoi se Alexander Litvinenko , një ish-agjent rus, i kthyer në kritik të Kremlinit, ishte helmuar në një bar hoteli në Londër në vitin 2006 nga dy agjentë rusë, të cilët ia kishin spërkatur çajin jeshil me polonium-210 shumë radioaktiv.
Litvinenko, i cili kaloi një vdekje e ngadaltë dhe e dhimbshme në javët pas helmimit të tij, gjithmonë pohoi se Putini dhe Kremlini ishin përgjegjës për atë që i kishte ndodhur.
“Ju mund të keni sukses të mbyllni gojën e një njeriu, por ulërima e protestës nga e gjithë bota do të kumbojë, zoti Putin, në veshët tuaj për pjesën tjetër të jetës tuaj,” tha ai në një deklaratë në shtratin e vdekjes.
Anna Politkovskaya
Një kritike e zëshme e luftës së Rusisë në Çeçeni, Anna Politkovskaya u qëllua në hyrje të apartamentit të saj në Moskë në tetor 2006.
Autoritetet pretenduan se një burrë i paidentifikuar i kërkoi Lom-Ali Gaitukayev, të cilin gjykata pretendon se ishte organizatori i vrasjes, të vriste Politkovskaya në këmbim të 150,000 dollarëve për shkak të raporteve të saj për shkelje të të drejtave të njeriut dhe çështje të tjera.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me seli në Nju Jork, tha se puna e saj për shkeljet e të drejtave të njeriut në Çeçeni çoi në kërcënime kundër saj dhe zemëroi autoritetet ruse.
Në të njëjtën ditë që Prigozhin supozohej se ishte vrarë, RIA Novosti raportoi gjithashtu vdekjen e fundit të një ish gjenerali të shërbimeve të sigurisë ruse.
Gjenerali Genadi Lopyrev, i cili supozohet se kishte njohuri për ndërtimin e rezidencës së Putinit në Detin e Zi, u dënua për vepra ryshfeti në vitin 2017 dhe kishte vuajtur një dënim prej 9 vjet e 8 muaj. Sipas RIA Novosti, ndërsa ishte në paraburgim ai kohët e fundit “papritmas u sëmur” dhe më pas vdiq në spital më 16 gusht.
Në maj, zëvendësministri i Shkencës dhe Arsimit të Lartë i Rusisë, Pyotr Kucherenko, 46 vjeç, vdiq ndërsa po kthehej nga një udhëtim në Kubë.
Të paktën 13 biznesmenë rusë të profilit të lartë thuhet se kanë vdekur nga vetëvrasja ose në rrethana misterioze gjatë vitit të kaluar, gjashtë prej tyre të lidhur me dy kompanitë më të mëdha të energjisë ruse, Gazprom dhe Lukoil.