Dinamo është aktualisht e zhvendosur në Itali aty ku “Blutë” po kryejnë fazën e dytë përgatitore në vigjilje të kampionatit teksa skuadra është vendosur nën urdhrat e trajnerit të sapoardhur, Luigi Di Biagio.
Por, përveç seancave stërvitore te “Nëndetësja” kanë planifikuar të zhvillojnë edhe miqësore në mënyrë që lojtarët të kenë edhe një ide më të qartë në lidhje me atë që kërkon tekniku italian.
Kështu, nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare të klubi, Dinamo bën të ditur se të enjten do të zbresë në fushë për një miqësore me Modenan. Këta të fundit janë pjesë e Serisë B dhe do të jenë një test i rëndësishëm për Dinamon në këtë periudhë para startit të kampionatit që starton më datë 19 gusht. Vlen të theksohet se skuadra e drejtuar nga Luigi Di Biagio, do ta nisë Superioren me një sfidë që kërkon impenjimin maksimal pasi bëhet fjalë për derbin ndaj Tiranës.