Ish-kreu i SHISH Fatos Klosi, ka deklaruar se SHBA dhe Britania e Madhe kanë prova për të korruptuarit në Shqipëri. Në një intervistë për gazetën “SOT”, i pyetur lidhur me deklaratën e bërë pak ditë më parë nga i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili deklaroi se korrupsioni në Ballkan është një problem i madh, dhe nëse mendon se SHBA dhe Britania e Madhe kanë prova kundër të korruptuarve në Shqipëri, ai tha se ata kanë prova sa kohë bëhen këto deklarata.
Sipas tij, ata e kanë vënë re që kur u shpall Berisha non grata në Shqipëri ndryshoj gjithçka. I pyetur lidhur me debatin për ndërtimin e një kulle 64- katëshe në qendër të Tiranës, ku flitet se fshihet djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, si tha se nëse është dhënë leja nga këshill Bashkiak i Tiranës dhe është parë se një ndërtesë e tillë ja vlen që të bëhet atje do bëhet. Sipas tij, në Shqipëri problemi që ndërtimet përdoren për pastrim parash. Teksa foli për goditjet e SPAK dhe dosjet e bujshme si “Gërdeci”, “21 Janari” dhe privatizimi i ish-kompleksit Partizani, ai tha se koha që ata që kanë qenë të përfshirë të dalin para drejtësisë ka ardhur dhe ka kaluar.
-Zoti Klosi, ditët e fundit në Tiranë zien debati se pas ndërtimit të një kulle 64- katëshe në qendër të Tiranës fshihet djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha. Vetëm Berisha dhe djali i tij i kanë mohuar këto akuza, por ndërkohë gazetari Mero Baze këmbëngul se pretendimet e tij janë të vërteta. Si ka mundësi që kudo ku afera përmendet emri i djalit të Berishës? Kujtojmë se Shkëlzeni përmendet në aferën e Gërdecit…
Nëse është dhënë leja nga këshill Bashkiak i Tiranës dhe është parë se një ndërtesë e tillë ja vlen që të bëhet atje, do bëhet. Në Shqipëri është ky problemi që ndërtimet përdoren për pastrim parash, kjo është e padiskutueshme dhe unë them se janë vlera shumë të mëdha që nuk janë bërë me rrugë legale, pastaj ata që e kanë financuar le ti shikojnë.
-A ka ardhur koha që SPAK të godasë edhe djathtas, ku shumë zyrtarë dhe ish-zyrtarë që janë përfshirë në dosje si “Gërdeci”, “21 Janari”, privatizimi i ish-kompleksit Partizani të japin llogari?
Koha ka kaluar në fakt, janë ngjarje që kanë ndodhur para 15 vitesh. Koha ka ardhur dha ka kaluar, por mundësitë e tyre unë si di, sepse duhet kohë që të kërkosh faktet. Nuk është puna vetëm të merret SPAK, sepse ky i fundit do të shkoj në gjykatë dhe atje do të jepet verdikti. Janë ngjarje që ka kaluar shumë kohë, sepse vet organet speciale të drejtësisë dhe SPAK u krijuan që të merreshin me këto ngjarje që ishin kaluar përciptasi, biles kishin kaluar dhe në gjykatë dhe për Gërdecin e kishin cilësuar si incident teknologjikë, ose këtë të bulevardit e quajtën se u shkrep padashje pistoleta. Unë them se koha ka kaluar, por urojmë që ata t’i çojnë deri në fund.
-Keni një koment mbi rizgjedhjen e Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike?
Lulzim Basha për shumë kohë hoqi dorë dhe i kaloj në heshtje shumë ngjarje që ndodhën brenda Partisë Demokratike dhe nuk e di tek cilët njerëz ai beson se mund ta përkrahin. Në zgjedhjet e fundit lokale që u bënë në vend përkrahja për Bashën ishte pothuajse zero, kështu që unë habitem si nuk i mori parasysh këto gjëra.
-Korrupsioni në Ballkan është një problem i madh. Kështu është shprehur pak ditë më parë i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, teksa paralajmëron “non-grata” të reja, ku të rrezikuar janë shumë politikanë dhe zyrtarë të lartë të zhytur në afera. A kanë SHBA, madje edhe Britania e Madhe prova kundër të korruptuarve në Shqipëri?
Po sigurisht që kanë. Korrupsioni nuk është një fenomen kaq i fshehur në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, kështu që mendoj se nuk bëjnë deklarata boshe ata. Kemi shpresë tek reforma në drejtësi, e cila nisi para disa vitesh dhe ishte nismë e tyre dhe ata duan aleatë të sigurt në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe aleatët nuk janë të sigurt nëse brenda vendit të tyre ka korrupsion kështu që kjo përpjekje e tyre është interes i rëndësishëm.
Rajoni është i rëndësishëm, sidomos pas luftës në Ukrainë është bërë shumë më i rëndësishëm. Interesi i SHBA që këto vende të rajonit të janë vende që nuk e ndërrojnë politikën e tyre aq kollaj dhe vende serioze. Pavarësisht se kush janë qeveritë në pushtet në Shqipëri të dyja palët për korrupsion kanë kritikuar njëra- tjetrën.
E quaj shumë serioze këtë deklaratë të tyre dhe ata e kanë vënë re që kur u shpall Berisha non grata në Shqipëri ndryshoj gjithçka, u shkatërrua Partia Demokratike dhe nuk po merr dot veten. Pra, është një provë se deklarimi non grata i personazheve të rëndësishme në vendin tonë është shumë i rëndësishëm dhe do ta përdorin këtë armë, pasi është armë në duart e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar luftën kundër korrupsionit.
Berisha tha nuk kanë prova për mua dhe asgjë nuk ndodhi, ai u shpall non grata, dhe tani është kërkushi dhe po kërkon mënyra se si të marr pjesë në zgjedhje, pra tani është tjetër gjë nga ca ishte më parë. Do doja shumë që ato që ka thënë Escobar të realizoheshin.
-Mendoni se do të ketë ndryshime në qeveri?
Në fakt edhe Rama vetë e ka thënë se duhet që të presim Asamblenë e Partisë Socialiste. Unë them se ndryshime duhet që të ketë sepse natyrisht ka ministra që kanë punuar më mirë dhe ka që kanë punuar më pak dhe ndonjë duhet zëvendësuar. Është normale që kohë pas kohë të ketë ndryshime dhe do uroja që të kishte ndryshime që të kishte edhe një farë gare brenda qeverisë, për shumë arsye që edhe të promovoheshin njerëz të rinj.