Me vdekjen e Yevgeny Prigozhin dhe numrit dy të grupit Wagner, Dmitry Utkin, në avionin e rrëzuar mbrëmjen e djeshme në Moskë, mercenarëve do t’u duhet të zgjedhin një lider të ri për të drejtuar ushtrinë private me mbi 5 mijë anëtarë.

Dhe emri më i rëndësishëm i mbetur në radhët e mercenarëve, që mund të marrë drejtimin, është një nga miqtë më të ngushtë të Prigozhin, i njohur si vrasës gjakftohtë i luftës në Ukrainë.

Bëhet fjalë për komandantin 42-vjeçar Anton Yelizarov, i cili i konsidero anëtarët e grupit mercenar si “kalorës” dhe duket se është nga ata që mbështeti revoltën kundër Vladimir Putin.

Ekspertja Samantha de Bendern tha për The Sun se emri i Yelizarov si drejtuesi i ri ka qarkulluar në grupe të ndryshme në Telegram, menjëherë pas kaosit që u krijua kur u rrëzua avioni i Prigozhin.

“Është një djalë i ri, Yelizarov, i cili është i vetmi lider i mbijetuar nga kupola e Wagner“, tha ekspertja.

I njohur me nofkën “Lotus”, Yelizarov besohet se ka qenë i përfshirë në lëvizjet e grupit në Bjellorusi dhe ka komanduar Wagner gjatë betejës më të përgjakshme të luftës në Ukrainë.

Ai udhëhoqi ofensivën e përgjakshme në Soledar, ku u vranë shumë ushtarë ukrainas dhe rusë gjatë betejës pesë mujore dhe më vonë mori emrin “pushtuesi i Soledarit” nga Prigozhin.
Pavarësisht se filloi karrierën e tij ushtarake në Forcat e Armatosura Ruse, Yelizarov është një ndër ata që i ka kthyer shpinën Putinit dhe i është përkushtuar grupit mercenar, i cili ka në përbërje disa nga të burgosurit më të rrezikshëm të Rusisë.

Në një intervistë të zhvilluar në fillim të këtij viti për kanalin në Telegram të lidhur me Wagner, “Zona Grey”, Yelizarov e shprehur hapur besnikërinë e tij ndaj grupit mercenar.

“Wagner nuk është thjesht një strukturë që bashkon njerëzit, është një ideologji. A e keni dëgjuar historinë për Mbretin Artur dhe Kalorësit e Tryezës së Rrumbullakët? Pra, të gjithë komandantët e Wagner janë kalorës, dhe udhëheqësi ynë është drejtori. Nuk mund të ndahemi, të gjitha vendimet merren bashkërisht, në këshillin e komandantëve. Kështu është krijuar një strukturë pa komponentë korrupsioni”, tha Anton Yelizarov.

Anton Yelizarov mori pjesë në aksionet ushtarake në Siri, përpara se të punonte në Republikën e Afrikës Qendrore dhe të komandonte një njësi në Libi – ku ishin vendosur mina tokësore ilegale nga trupat e Wagner.

Ai mendohet se i është bashkuar grupit rreth vitit 2016, pasi u dënua për mashtrim nga forcat ushtarake ruse.

“Lotus” është sanksionuar gjerësisht edhe nga Ukraina, Franca, Bashkimi Evropian, Japonia, Belgjika, Zelanda e Re dhe Zvicra.