Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi zhvilloi një takim me disa nga maturantët që morën rezultatet më të mira në provimin hyrën në programin “Mjekësi e Përgjithshme”.

Në fjalën e saj ministrja falënderoi maturantët për përkushtimin e treguar jo vetëm në provimet e maturës, por edhe një provimin e informatizuar, i cili u zhvillua për herë të parë këtë vit.
“Shumë faleminderit për prezencën, shumë faleminderit që pranuar ftesën tonë. Unë jam këtu së bashku me drejtoreshën e qendrës së shërbimeve arsimore, drejtoreshën e QSHA, për t’ju përgëzuar në radhë të parë për sukseset tuaja dhe jo vetëm për suksesin e testit të automatizuar, por për sukseset që keni arritur gjatë gjithë viteve të studimeve. Edhe studimet në tre vite të gjimnazit, suksesi në provimet e maturës, por veçanërisht për suksesin shumë të spikatur tuajin në testin e automatizuar”, theksoi ministrja Kushi.

Ministrja Kushi, së bashku me drejtoreshën e QSHA-së znj. Aurora Balliu dëgjuan opinionet dhe sugjerimet e tyre për provimin dhe fondin e pyetjeve të hartuar për këtë provim që i është vënë në dispozicion maturantëve që prej muajit dhjetor të vitit të shkuar.

“Ne sot së bashku me ju duam të zhvillojmë një bashkëbisedim pikërisht në lidhje me këtë test, dhe risitë që ne kemi ndërmarrë për programin mjekësi e përgjithshme. Duam të diskutojmë që nga vendimi ynë për të përfshirë një test të tillë në ranikimin e maturantëve, me qëllim kryesor të shmangim fiktivitetin dhe meritokracia dhe transparenca të jetë thelbi, veçanërisht për studentët e mjekësisë sepse është programi më i kërkuar nga studentët ekselentë që janë me 10 -ta. Ku diferencat mes jush janë shumë të vogla. Duke u bazuar në mendimet tuaja dhe rezultatet e vitit të parë të reflektojmë që të bëjmë ndryshimet e duhura vitin tjetër dhe pse jo, ta shtrijmë këtë metodë edhe për programe të tjera studimi, apo ndoshta edhe për provimet e maturës”, u shpreh ministrja.

Gjatë bashkëbisedimit me maturantët, Kushi shprehet se vendi jonë është përballur me problemin e nevojave për mjekë dhe specialistë në sistemin shëndetësor. Për të gjithë studentët e mjekësisë që plotësojnë detyrimin për të qëndruar 5 vite në Shqipëri, do të kenë një trajtim të veçantë si në në punësim edhe në politikat e strehimit, kredi të buta për shtëpi.

“Problemi që ne kemi është plotësimi i nevojave për mjekë dhe specialistë të sistemit shëndetësor në të gjithë vendin. Dhe duke vlerësuar të gjitha alternativat, të gjithë mekanizmat, duke u konsultuar edhe me vendet e tjera, ne miratuam ligjin që pati shumë debate në fakt shumë diskutime. Për të gjithë studentët që nga viti i parë deri në vitin e gjashtë sigurisht në mënyrë të përshkallëzuar, ndryshe për vitet e ndryshme parashikon një periudhë të caktuar qëndrimi dhe kontributi në institucionet shqiptare dhe për të gjithë ata që pranojë këtë detyrim, do të ketë në fund një trajtim të veçantë edhe në punësim edhe në politikat e strehimit, kredi të buta për shtëpi”, shprehet Kushi.

Sipas mendimit të studentëve, do ishte më mirë që periudha 5-vjeçare e qëndrimit të studentëve në Shqipëri, të ulej deri në tre vite. Kushi tregon se brenda 5-vjeçarit përfshihet edhe periudha e specializimit.

“Mos harroni që këtu brenda është edhe periudha e specializimit. Pra në qoftë se ju do të vendosni që menjëherë pas diplomimit të specializoheni, ky detyrim është i përfshirë. Pra mund të ndodhë që në fund të specializimit, ju e keni shlyer edhe detyrimin që keni për të qëndruar në Shqipëri”, shprehet Kushi.

Një pyetje tjetër e drejtuar drejt ministres Kushi, është se sa mund të jetë numri i studentëve që mund të specializohen në Shqipëri 300-400?

“Për specializimin ju e dini shumë mirë që ka procedura, ka konkurrim, ka kuota të mbuluara nga Ministria e Shëndetësisë, ka dhe kuota të lira. Por në të dyja rastet ju nënshkruani një marrëveshje, kështu që detyrimi për të qëndruar pas specializimit në Shqipëri, ka qenë edhe përpara miratimit të këtij ligji. Pra të gjithë ata që bëjnë specializimin me kuotat e mbuluara nga Ministria e Shëndetësisë, kanë detyrimin që të qëndrojnë e të punojnë në institucionet tona”, ka përfunduar ministrja Kushi.