Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po shton numrin e shërbime online, duke i ardhur në ndihmë biznesit eksportues për më shumë lehtësi, reduktim të kohës së pritjes dhe ruajtjen e standardeve të prodhimeve bujqësore në eksporte.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca bëri të ditur se, “Eksportuesit shqiptarë dhe Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, tanimë mund të aplikojnë, lëshojnë dhe shkëmbejnë dokumente shpejt dhe me efikasitet online, duke përshpejtuar procedurat e eksportit dhe duke i bërë ato më të lehta dhe më të sigurta.”
Ajo theksoi ky projekt vjen në mbështetje të Operatorëve Ekonomik eksportues dhe në përmbushje të detyrimeve për rritjen e standardeve të shërbimeve për biznesin.
Ministrja informoi se, plotësimi i certifikatës fitosanitare me dorë, si dhe realizimi i montorimit kërkon mesatarisht 1-1.5 orë punë. Ndërsa procesi online për të gjithë Operatorët Ekonomik që do të kryejë eksporte, nuk zgjat më shumë se 10 minuta.
Sipas saj, ky proces kursen kohë për plotësimin me dorë të certifikatës dhe reduktohet mundësia e gabimeve njerëzore, sepse kompanitë dhe autoritetet janë të regjistruara në platformë dhe eliminohen gabimet e të shkruajturit me dorë.
Gjithashtu theksoi Krifca, përfitime të tjera janë:gjurmueshmëria – monitorimi i lëvizjeve të ngarkesave; shkëmbim informacioni – duke u mundësuar partnerëve tregtare dhe autoriteteve lehtësisht informacionin mbi lëvizjen e dërgesave të tyre; menaxhimin e rrezikut – reagimi me shpejtësi ndaj problemeve fitosanitare te evidentuara, duke gjurmuar lëvizjet e ngarkesave dhe duke lehtësuar procesin e dërgesave të refuzuara si dhe mjeti i integruar statistikor qe lejon nxjerrjen e të dhënave të vlefshme në lidhje me importet dhe eksportet nga vendet CEFTA dhe më gjerë.
“Jemi të angazhuar maksimalisht për të mbështetur sektorin rural dhe eksportuesit me qëllim zhvillimin në tërësi të bujqësisë dhe arritjen e objektivit tonë madhor për 1 miliard dollarë eksporte bujqësore deri në 2030”, tha Krifca.