Anëtari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Don Bacon, tha të hënën se ishte paralajmëruar nga FBI-ja se emailet e tij ishin hakeruar nga spiunët kinezë.
Ligjvënësi shkroi në rrjetin social X se kishte mësuar se Partia Komuniste Kineze kishte qasje në emailet e tij private dhe të fushatës për rreth një muaj, deri më 16 qershor.
Lajmi u raportua fillimisht të hënën nga gazeta “Washington Post”.
Hakerimi ndodhi si rezultat i një dobësie në programin Microsoft, tha Zoti Bacon, një referencë e qartë ndaj fushatës së hakerimit të zbuluar nga firma Microsoft muajin e kaluar, gjatë së cilës thuhet se u vodhën qindra mijëra emaile të zyrtarëve të lartë amerikanë, mes tyre Sekretares së Tregtisë Gina Raimondo dhe ambasadorit amerikan në Kinë, Nicholas Burns.
Rrjeti CNN raportoi më parë se hakerimi i llogarive të postës elektronike të anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve ishte pjesë e së njëjtës fushatë të njoftuar nga firma Microsoft.
Një zëdhënës i ambasadës kineze tha se lajmi pa baza synonte të njolloste Pekinin, duke shtuar se qeveria amerikane kishte dëmtuar sovranitetin e Kinës me shitjen e armëve Tajvanit, një ishull i vetëqeverisur ndaj të cilit ka pretendime Kina.
Një zëdhënës i ligjvënësit Bacon tha se FBI-ja i kishte thënë atij se hakerët kinezë komprometuan emailin e tij dhe vodhën informacione personale bankare, të dhëna mbi strategjinë politike dhe mbledhjen e fondeve për fushatën.
I zgjedhur në Kongres në vitin 2016, zoti Bacon ka shërbyer si gjeneral brigade në Forcat Ajrore dhe aktualisht shërben në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Forcat e Armatosura, që ndihmon në përcaktimin e buxhetit vjetor për ushtrinë amerikane dhe shpenzimet.
Kongresmeni ka të ngjarë të jetë vënë në shënjestër, sipas zëdhënësit të tij, për shkak të mbështetjes publike për Tajvanin dhe komenteve kritike në lidhje me trajtimin e komunitetit ujgur nga Pekini.