Me ardhjen e talebanëve në pushtet është rritur numri i grave që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor
Kjo vajzë afgane ra në dashuri me pikturën më shumë se një muaj më parë. Sa herë që kishte një moment të lirë në shtëpi, ajo nxirrte stilolapsat me ngjyra dhe fillonte të vizatonte. Piktura i jep kënaqësi, por edhe një ndjenjë lehtësimi.
19-vjeçarja afgane, e cila identifikohet vetëm me mbiemrin e saj për shkak të shqetësimeve të sigurisë, ishte studente e vitit të dytë të Drejtësisë dhe Shkencave Politike përpara se talebanët të pezullonin hyrjene vajzeve në universitete vitin e kaluar.
Duke mos qenë në gjendje të vazhdonte shkollimin e saj, Kushi u zhyt në depresion. “Pasi talebanët ndaluan vajzat nga universitetet dhe njoftuan se ne nuk mund të vazhdojnë më shkollimin, u ndjeva aq e mërzitur, shëndeti im mendor dita-ditës përkeqësohej. Isha shumë e dëshpëruar dhe më në fund vendosa të shkoj te një psikiatër.”
E inkurajuar nga familja e saj, 19-vjeçarja filloi të vizitonte një psikiatër vendas dy herë në muaj. Përveç marrjes së ilaçeve, ajo tani ndjek një klasë arti 6 ditë në javë si pjesë e trajtimit të saj.
“Kur kuptova se nuk jam mirë mendërisht, u pikëllova, u trishtua edhe familja ime. Nuk isha aspak e lumtur, isha gjithmonë në depresion. Ndihesha si një zog në një kafaz, që ka humbur gjithë lumturinë time.”
Mjeku i vajzës thotë se përpara se talebanët të merrnin pushtetin, ai vizitonte 4 deri në 5 pacientë në ditë, tani numri i pacientëve të tij është rritur në 10 deri në 15 në ditë, dhe shumica prej tyre janë gra.Rritja u bë edhe më e dukshme pasi talebanët ndaluan vajzat të vijojnë universitetet.
“Që kur talebanët filluan të sundonin vendin, ata kanë vendosur kaq shumë kufizime për gratë. I kanë ndaluar universitetet, parqet argëtuese, sallonet e bukurisë e kështu me radhë, nuk kanë lënë asgjë për gratë. Studiot e artit janë e vetmja rrugë që na ka mbetur për të ndihmuar pacientët tanë. Studiot e artit janë bërë i vetmi vend ku vajzat mund të pastrojnë mendjen, të shkojnë me miqtë e vjetër dhe të bëjnë miq të rinj, dhe përveç kësaj, ato mund të mësojnë edhe artin.”
Të shkatërruar nga dekadat e luftës dhe destabiliteti politik në vend, organizatat shëndetësore vlerësojnë se gjysma e afganëve kanë vuajtur nga probleme të shëndetit mendor dhe se aksesi për të marrë ndihmë nga psikologët mbetet i ulët.
Ka pak shifra të besueshme për personat që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, por psikologët thonë se më shumë gra po luftojnë me shëndetin mendor pas urdhrave të talebanëve që kufizojnë punën dhe arsimimin e tyre.
Në një studio të vogël artistike shumëngjyrëshenë Kabul, disa të reja, përfshirë Kushin, u mblodhën për një klasë vizatimi. Shumë prej tyre janë dërguar këtu me rekomandimin e një eksperti të shëndetit mendor, për të lehtësuar izolimin e tyre dhe për të mësuar një aftësi të re, krahas terapisë dhe mjekimit.
“Para se të vija këtu po luftoja me depresionin, por tani ndihem më mirë. Mjeku im më këshilloi që të bashkohesha me një studio arti si pjesë e terapisë sime. Dëgjova mjekun tim dhe që kur u futa në këtë klasë, ndihem shumë më mirë në krahasim me të kaluarën.”
Kushi thotë se terapia e artit i ka dhënë asaj shpresë për të ardhmen. “Për shkak të kësaj situate të keqe, jam pak i zhgënjyer në jetën time, por nuk po dorëzohem, do të luftoj. Shpresoj që gjërat të përmirësohen në të ardhmen”.
Edhe vajza të tjera që janë pjesë e kësaj klase shprehen të lumtura. “Shkova për të parë tek një mjek kur isha në depresion. Mjeku më këshilloi që të shkoj në një vend ku mund të qetësoj mendjen. Zgjodha studion e artit. Këtu jo vetëm që bëra miq të mirë, por edhe po mësoj më shumë për artin.”
Ndërsa mjekët thonë se kjo formë terapie është më e mira për këta persona.
“Terapia e artit është një opsion i mirë për trajtim mjekësor, veçanërisht për ata që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Ata jo vetëm që mësojnë art, por edhe dalin nga vetmia e tyre, ata mund të përmirësohen më shpejt në këtë mënyrë.”
Një studim i bërë në provincën Herat nga Qendra e Afganistanit për Studime Epidemiologjike, i publikuar në mars të këtij viti, ka treguar se dy të tretat e adoleshentëve afganë kanë përjetuar simptoma të depresionit. OKB-ja ka ngritur alarmin për përhapjen e problemeve të shëndetit mendor por edhe rritjen e shkallës së vetëvrasjeve.
Megjithatë talebanët thonë se nuk po vërejnë rritje të numrit të vetëvrasjeve. Për shkak të stigmës së lidhur me të, shumë familje zgjedhin ta mbajnë të fshehtë nëse një i afërm i tyre ndërmerr një veprim të tillë. Megjithëse premtuan një qeverisje ndryshe nga ajo e viteve ‘90 regjimi taleban shpejt bëri realitet makthin e shumë grave dhe vajzave të cillat i druheshin një përkeqësimi dramatik të lirive civile.