Autoritete malazeze nuk i kanë lejuar hyrjen ish-ambasadorit të Serbisë në Mal të Zi, Vladimir Bozhoviç-it në këtë shtet duke ia kthyer me të njëjtën monedhë Beogradit zyrtar pasi ky i fundit ditë më parë nuk e lejojë hyrjen e ish-ministres së Çështjeve Evropiane Jovana Maroviç-it në Serbi.
Kthimin prapa nga pika kufitare në mes të Malit të Zi dhe Serbisë e ka njoftuar vetë diplomati serb duke theksuar se një vendim i tillë është marrë përkundër aktgjykimit të Gjykatës Administrative. Në një prononcim për Radio Televizionin e Malit të Zi, Bozhoviç është shprehur i tronditur nga vendimi i autoriteteve shtetërore malazeze. “Ky është një skandal i klasit të parë, ju e keni parë vendimin e Gjykatës Administrative dhe vendimin e Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi që më lejon të hyj në Mal të Zi.
Prandaj vendosa të vij sërish sot, por në pikën kufitare të Rançës, sërish më dhanë një vendim për ndalimin e hyrjes. Është veçanërisht e pabesueshme që kjo të ndodhë përkundër garancive të kryeministrit dhe ministrave në Mal të Zi se do të më jepet liria e lëvizjes dhe me të vërtetë nuk kam fjalë dhe nuk di çfarë të them tjetër”, ka thënë ai. Ndryshe ditë më parë Ish-zëvendëskryeministrja malazeze, Jovana Maroviç, njoftoi se i është ndaluar hyrja në Serbi me arsyetimin e “mbrojtjes së sigurisë së Serbisë dhe qytetarëve të saj”. Për këtë çështje reagoi edhe Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, duke deklaruar se praktika të tilla duhen lënë anash nëse të dy vendet kanë aspirata për marrëdhënie të mira fqinjësore.