Kylian Mbappe dhe PSG kanë bërë paqe pas më shumë se një muaji që klubi kampion i Ligue I e kishte shpallur sulmuesin “non-grata”. Një takim i tij me presidentin Al Khelaifi ka bërë që 24-vjeçari të bashkohet me ekipin, duke treguar përkushtim për sezonin e ri.

Tanimë pritet që të ketë një kontratë të re mes palëve, e cila do zgjatet deri në verën e 2025. Kujtojmë se një muaj më parë Mbappe kërkonte vetëm Realin e Madridit, duke mos rinovuar me ekipin e PSG, kontratë që skadon në verën e 2024.

Kështu “Galaktikët” do mund ta afronin falas sulmuesin, me PSG-në që kërkon jo më pak se 230 milionë euro. Me lojtarin që u përjashtua nga ekipi për turneun e verës në Azi, palët gjetën gjuhën e përbashkët dhe Paris ka “tym të bardhë”.

Sulmuesi francez nuk kishte qenë duke u stërvitur me skuadrën e parë dhe u la jashtë ndeshjes hapëse të sezonit, me PSG-së që barazoi 0-0 me Lorient të shtunën.

PSG tregon se Mbappe u rikthye pas bisedimeve “shumë konstruktive dhe pozitive”. Kapiteni i Francës e ndoqi ndeshjen të shtunën nga tribuna me bashkëlojtarin e Francës, Ousmane Dembele, i cili iu bashkua PSG-së nga Barcelona për 50.4 milionë euro.