Nga Jerola Ziaj A2

Të huajt në Vlorë nuk janë më një fenomen që e shikon vetëm gjatë sezonit veror. Tashmë përgjatë gjithë vitit me mijëra të huaj janë kthyer në rezidentë të përhershëm në këtë qytet. Dhe madje po përshtaten edhe me zakonet dhe me gjuhën shqipe.
Një prej tyre është italiania Ambra Amaretti, e cila ka vendosur të pleqërojë dhe të punojë njëkohësisht në qytetin e Vlorës. Madje, tashmë ajo është zia Ambra edhe për faktin që ka filluar të mësojë edhe shprehje në shqip

“E njoha dhe u dashurova me Vlorën në vitin 2013. Vendosa të vij këtu, pasi Vlora dhe Shqipëria me kujtojnë Italinë e bukur të para 50 viteve. Përveç kësaj edhe njerëzit janë shumë miqësorë dhe kanë dëshirë të të ndihmojnë”, rrëfen italiania.

Daniela një tjetër italiane prej disa muajsh po jeton dhe punon mes Italisë dhe Vlorës. Për të Shqipëria për sa kohë nuk aderon me të drejta të plota në BE ka çmime mjaft të favorshme për të jetuar shumë më mirë se sa në Itali.
“Është vend i bukur buzëdetit. Një qytet që jeton gjithë vitin dhe jo vetëm në sezon. Ka gjithçka, mal, det, lumenj. Jetohet dhe hahet shumë mirë. Shpenzohet të paktën gjysmën e shumës që mund të harxhoj në Itali për të njëjtat gjëra dhe ushqimi është bio dhe mund te blesh akoma nga fshatarët”, u shpreh Daniela.

Ndërsa një 20-vjeçare australiane prej muajsh punon në një beach bar në Vlorë dhe eksperiencën që po kalon në vendin tonë e cilëson si fantastike
“Kam udhëtuar për rreth 3 muaj nëpër Shqipëri. Kam qëndruar në Tiranë për një muaj dhe vendosa të vizitoj jugun e Shqipërisë. Sot po punoj në një beach bar dhe jam duke e shijuar punën dhe marrëdhënien me shqiptarët, pavarësisht vështirësisë së gjuhës. Ja dalim shumë mirë të kuptohemi. Për mua si një australiane të punoj në Shqipëri është një eksperiencë fantastike pasi mësoj kulturë tjetër dhe njihem me njerëz të rinj”, tregon e reja.

Nga të dhënat zyrtare janë mbi 3800 italianë, kryesisht pensionistë që janë regjistruar si rezidentë në qytetin e Vlorës, ndërsa mendohet se janë të paktën 5000 italianë që jetojnë dhe punojnë mes Shqipërisë dhe Italisë.