Kryeministrja italiane Girogia Meloni ka lënë Shqipërinë mbrëmjen e djeshme dhe është kthyer në Pulia, aty ku ndërpreu pushimet e saj për të vizituar Vlorën me ftesë të kryeministrit Edi Rama. Meloni qëndroi për katër ditë në jugun e Shqipërisë dhe mëngjesin e sotëm zbriti në portin e Brindisit, nga trageti i linjës ‘Prince’ me të cilin udhëtoi bashkë me familjarët dhe miqtë e saj. Meloni do të kthehet në fermën Beneficio në Ceglie Messapica për pushimet e fundit, para sfidave politike që e presin në shtator.

Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama që zgjodhi të shijojë një kafe me homologen italiane në lokalet e zonës historike në Vlorë, pak orë para se ajo të nisej për në Itali. Meloni dhe Rama u filmuan në kafe teksa shfaqen në biseda miqësore, mes përqafimeve të rrethuar edhe nga të tjerë zyrtarë italianë dhe shqiptarë. Meloni dhe Rama njihen për marrëdhënien e tyre të ngushtë, çka ka tërhequr disa herë vëmendjen e mediave.

Vetë kryeministri Edi Rama postoi foto të takimit me homologen italiane, të cilën e konsideron si motrën e vogël të Shqipërisë dhe e falënderon për vizitën në Shqipëri.

“Motra e Shqipërisë dhe vëllai i Italisë. Faleminderit Giorgia, ishte një nder”, shkroi Rama një ditë më parë.

Media italiane Corriere della Sera i ka kushtuar sërish një artikull largimit të Melonit nga vendi ynë, ndërsa shkruan se mbetet mister një takim i mundshëm me ish-kryeministrin Britanik Tony Balir, i cili ishte në Vlorë në të njëjtën kohë me Melonin. Corriere shkruan se stafi i ish-kryeministrit Blair u ka konfirmuar se nuk ka pasur një darkë me Melonin, por nuk kanë përjashtuar një takim të mundshëm.

Meloni mbërriti në Vlorë në 14 gusht ku pas një ftesë të kryeminsitrit Rama ajo ndërpreu pushimet e saj në një fermë në Puglia dhe u nis nga Brindizi me një traget linje drejt Vlorës. Familja kryeministrore, Meloni me bashkëshortin Andrea Giambruno, vajzën Ginevra dhe motrën e saj Arianna e bashkëshortin Francesco Lollobrigida kaluar 4 ditë pushime në Shqipëri në këtë sezon kur vendi ynë ka njohur një bum turistësh italianë.

Kujtojmë se edhe ish-kryeministri britanik, Tony Blair ndodhet në Shqipëri. Ai mbërriti në Himarë me helikopter mbrëmjen e së dielës. Më herët mediat italiane zbardhën disa prej diskutimeve mes Ramës dhe Melonit, kryesisht për çështjet e energjisë dhe projekteve të investimeve mes dy vendeve, ku sipas mediave italiane u artikulua edhe një bisede për ndërtimin e një termocentrali bërthamor në Shqipëri.