Pogradeci do të mirëpresë në 18 dhe 19 gusht “Mokra n’fest”, një aktivitet që promovon traditat e kulinarinë e zonës. Kryeministri Edi Rama u shpreh se këto do të jenë dy ditë fantastike të mbushura me aktivitete dhe muzikë, ndërsa ftoi turistët të mos humbasin këto evente lokale.
“‘Mokra n’fest’ në 18 e 19 gusht, ku ndërthuren bashkë historia, kultura, tradita, zakonet, mikpritja, dollia etj. Ndiqni eventet e kësaj jave te TEA, guida juaj e këtyre pushimeve”, tha Rama. Traditat, zakonet, gatimet, sportet, lojrat, koncerti, shëtitje me kuaj do të jenë pjesë e “Mokra n’fest”, organizuar nga bashkia e Pogradecit. Këtë vit “Mokra n’Fest” do të ketë 2 momente të paharrueshme.
Festa do të nisë në 18 gusht, në mbrëmje, ora 20:00, ku grupe të rinjsh nga Pogradeci, Korça, Librazhdi etj. do të kalojnë natën pranë urës së Golikut. Organizatorët kanë prgramuar të ketë karaoke, muzikë live, vëzhgim të qiellit me teleskop etj. Nata do jetë e gjatë dhe me muzikë, për të pritur ditën e madhe të festës. Më 19 gusht, ora 10:00, do të nisë koncerti, do të zhvillohen ekspozita, gatime, sporte ujore, hipizëm, lojëra për fëmijë e shumë të tjera. Zona e Mokrës vlerësohet si një potencial turistik, kulturor dhe historik. Mokra njihet edhe si kryeqendra e mbretërisë së parë ilire. Dëshmitë historike monumentale tregohen përmes 5 varreve të Selcës në kodrën e quajtur Gradishtë.