Një digë në një lumë norvegjez u shemb pjesërisht dje, teksa një tjetër pasojë shkatërruese e stuhisë Hans ka shkaktuar përmbytje në vend.

Incidenti ndodhi në hidrocentralin Brasksreidfoss, në brigjet e lumit Gloma, më i madhi në vend. Sipas Reuters, gjeneratorët e digës ndaluan së punuari për shkak se qendra e kontrollit u përmbyt, duke shkaktuar shembjen e pjesshme të digës. Siç thekson agjencia, fillimisht autoritetet vendase menduan të hidhnin në erë një nga hapjet e digës, ide e cila në fund nuk u zbatua pasi ekzistonte frika se rrjedha nuk mund të kontrollohej. Më pas, niveli i ujit fatmirësisht është ulur dhe tani situata është nën kontroll, thuhet në njoftimin e policisë.
Më shumë se 3,000 njerëz në vend janë zhvendosur këtë javë pasi nivelet e ujit të lumenjve tejkaluan nivelet 50-vjeçare, ndërsa shumë shtëpi dhe biznese u përmbytën nga shirat e dendur ose u dëmtuan rëndë nga rrëshqitjet e dheut.

Videot që tregojnë shtëpi të zhytura nën ujë dhe ujëra të furishëm që fshijnë struktura të tëra po bëjnë xhiron e internetit dhe tregojnë shkallën e shkatërrimit.