Ish-presidenti, në moshën 77-vjeçare, mund të përballet me burgim në rast se shpallet fajtor. Ai gjithashtu mund të përballet me 20 vjet burgim për rastin e dokumenteve sekrete. Sipas ligjit amerikan, asgjë nuk mund t’ia ndalojë një individi që të garojë për postin e presidentit, edhe nëse përballet me akuza penale ose burgoset.
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është akuzuar në lidhje me ngjarjet gjatë trazirave të 6 janarit 2021 në Capitol të Washingtonit. Politikani republikan ka mohuar akuzat, ndërkaq rastin e ka cilësuar si “skandaloz”.
Ai veçse po përballet me dy aktakuza të tjera – për keqmenaxhimin e dokumenteve sekrete dhe falsifikimin e të dhënave të biznesit për të mbuluar paratë e paguara për heshtjen e aktores së filmave për të rritur.
Njeriu që po i prin hetimit, prokurori i posaçëm, Jack Smith, është shprehur se do të kërkojë “gjykim të shpejtë”, mirëpo deri më tani është shumë larg që kjo të ndodhë.
Avokatët e Trumpit kanë rezistuar, duke thënë se u duhet kohë për të organizuar mbrojtjen e klientit të tyre. Gjithashtu, gjykimi do të jetë në të njëjtën kohë me dy rastet e tjera kundër tij dhe me shumë gjasë do të mbahet në një prej momenteve kyç gjatë fushatës presidenciale.
Pra, mbetet si mundësi që Trumpi do të mund të zgjidhej president në kohën e nisjes së gjykimit kundër tij. Republikani, i cili humbi zgjedhjet presidenciale karshi demokratit Joe Biden, është akuzuar për komplot për të zhbërë humbjen e tij në zgjedhje. Ai është akuzuar edhe për konspiracion për të mashtruar SHBA-në, konspiracion për të penguar procedurën zyrtare, pengim të procedurës zyrtare dhe konspiracion kundër të drejtave të qytetarëve.
Këto akuza kanë të bëjnë me veprimet e Trumpit brenda dy muajsh që nga dita e zgjedhjeve më 3 nëntor e deri në ditën kur ai la Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.
Akuza e parë u referohet përpjekjeve për të penguar mbledhjen, numërimin dhe certifikimin e votave. E dyta dhe e treta ka të bëjë me pengimin e certifikimit të votave të kolegjit elektoral në Kongres më 6 janar, që kulmoi me trazirat në Capitol.
Akuza e katërt ka të bëjë me përpjekjet për të penguar të drejtën e qytetarëve për votë dhe numërimin e votave të tyre.
Ky është rasti i tretë kundër Trumpit dhe disa ekspertë të juridikut kanë thënë se mund të mos jetë rasti më i fuqishëm kundër tij. Ai mund të përballet me akuza edhe më të rënda. Mirëpo sa i përket peshës së tyre, deri më tani ky rast është më seriozi dhe me më shumë pasoja, ka vlerësuar redaktorja e BBC-së për Amerikën Veriore, Sarah Smith.
Kjo është hera e parë që ndaj tij ngrihet aktakuzë teksa ende ishte president, thotë Smith.
Kur votat po numëroheshin pas zgjedhjeve, shpejt u bë e qartë se Trumpi nuk ishte i gatshëm ta pranonte humbjen.
Sipas dokumenteve ai ka gënjyer dhe ka përkrahur qëndrime të tjera false, ani pse për muaj të tërë zëvendëspresidenti Mike Pence dhe zyrtarë të tjerë i kishin thënë se nuk janë të vërteta.
Me shumë gjasë avokatët e ish-presidentit do të argumentojnë se ai kishte të drejtë nën Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane për të shprehur qëndrimet e tij, edhe nëse ato do të ishin të rreme.
Këto qëndrime ishin shprehur në mëngjesin e 6 janarit 2021 nga Trumpi, kur bëri postim në rrjetin social Twitter pak para se të mbahej tubimi i përkrahësve të tij në Washington DC.
Më vonë ai u kishte kërkuar përkrahësve që “t’u dëgjohej zëri” dhe që të “luftonin deri në ferr” teksa Kongresi kishte nisur takimin.
Ajo që ndodhi më pas u bë e njohur si trazirat e Capitolit, kur përkrahësit e Trumpit sulmuan ndërtesën e Kongresit, duke detyruar ligjvënësit që të evakuoheshin dhe të shtynin procedurat. Pasdite, Trumpi me postim u bëri thirrje që të ishin paqësorë dhe të respektonin ligjin. Më vonë i ka lavdëruar protestuesit, duke u thënë “patriot të mëdhenj”. Dhe ka vazhduar qëndrimet e rrejshme për vjedhje të votave në dy javët e mbetura në Shtëpinë e Bardhë.
Roli i Mike Pence
Zëvendëspresidenti amerikan gjithashtu ishte president i Senatit dhe ka rol kryesisht ceremonial, që përfshin certifikimin përfundimtar të rezultatit të zgjedhjeve. Trumpi publikisht i ka bërë presion Pencet që të pengonte certifikimin. Zëvendësi i tij ka refuzuar, duke thënë se nuk kishte të drejtë të zhbënte rezultatin e zgjedhjeve. Ai më vonë e ka akuzuar Trumpin për rrezikim të tij dhe familjes dhe të gjithë atyre që u kërcënuan nga përkrahësit e tij në Capitol.
Bashkëpunëtorët e Trumpit
Në aktakuzë janë përmendur gjashtë bashkëkonspiracionistë, përfshirë një zyrtar të Departamentit të Drejtësisë, katër avokatë dhe një këshilltar politik. Asnjëri nuk është përmendur me emër në dokumente.
Mirëpo sipas citateve, anekdotave dhe dokumenteve të tjera, është mundësuar që të identifikohen pesë prej tyre. Ata janë ish-avokatët e Trumpit, Rudy Giuliani, John Eastman dhe Sidney Powell, zyrtari i Departamentit të Drejtësisë, Jeffrey Clark, dhe avokati pro-Trumpit, Kenneth Chesebro. Mbetet i paqartë identiteti i bashkëpunëtorit të gjashtë.
Burgosja e mundshme e Trumpit
Ish-presidenti, në moshën 77-vjeçare, mund të përballet me burgim në rast se shpallet fajtor. Ai gjithashtu mund të përballet me 20 vjet burgim për rastin e dokumenteve sekrete.
Sipas ligjit amerikan, asgjë nuk mund t’ia ndalojë një individi që të garojë për postin e presidentit, edhe nëse përballet me akuza penale ose edhe burgoset.
Natyrisht se kjo nuk do të thotë se votuesit do ta përkrahnin një kandidat të tillë.
Së paku dy persona që më parë kanë garuar për president kishin dënime – kandidati socialist Eugene Debs në vitin 1920, i cili ishte dënuar për fjalimin kundër luftës në vitin 1918; dhe komplotisti Lyndon LaRouche, i dënuar për mashtrim. Tetë herë ka garuar për president deri në vitin 1992. Njërën prej këtyre garave e ka zhvilluar sa ishte në burgun federal të Minnesotas. Të dy kanë humbur garën zgjedhore.