Ndahet nga jeta gjuhëtari Bahri Beci, i ati i Benet Becit dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës
Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë njofton me hidhërim të thellë bashkësinë e shkencëtarëve albanologë, shqiptarë e të huaj; miqtë dhe kolegët e tij të shumtë brenda e jashtë vendit, për ndarjen nga jeta të akademikut Bahri Becit, personalitet me veprimtari të shumanshme në disa fusha të gjuhësisë shqiptare historike e bashkëkohore për më shumë se gjashtë dekada; autor i dhjetëra veprave monografike dhe studimore në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të rrugës së formimit të shqipes së njësuar, të historisë së gjuhës shqipe dhe të statusit të saj në lidhjen gjuhësore ballkanike.
Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllimet e saj të thella familjes e të afërmve, anëtarëve të Asamblesë – familjes shkencore të tij – bashkëpunëtorëve të shumtë, studiuesve dhe studentëve.
Bahri Beci, i ati i Benet Becit u lind në Shkodër në vitin 1936, në një familje me tradita atdhetare. Menjëherë pas mbarimit të studimeve universitare (1958) u emërua kërkues shkencor në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë, ku kreu detyra të rëndësishme drejtuese, si përgjegjës sektori e drejtues projektesh, sekretar shkencor dhe drejtor.
Në funksion të qëllimit të formimit të një brezi të ri studiuesish Bahri Beci u dërgua për specializim në Paris, ku mbrojti doktoratën me temën Le système vocalique et consonantique du parler de la ville du Shkodra / “Sistemi zanor dhe bashkëtingëllor i së folmes së qytetit të Shkodrës. Më pas, me kthimin në Tiranë, përfundoi disertacionin e shkallës së parë me studimin ”Të folmet e gegërishtes qendrore” dhe disertacionin e shkallës së dytë me studimin Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i të folmes së Shkodrës.
Veprimtaria universitare e Bahri Becit shtrihet në disa vende, duke përfshirë Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris INALCO. Bahri Beci është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2008) dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe i redaksisë së Atlas Linguorum Europae (ALE).
Fusha kryesore e veprimtarisë shkencore-kërkimore të Bahri Becit ka qenë historia e dialekteve dhe nëndialekteve të shqipes. Brenda kësaj problematike vend qendror zunë studimet dialektologjike për të folmet veriperëndimore dhe qendrore të shqipes (Shkodër, Dibër).
Bahri Beci mori pjesë si delegat dhe nënshkrues i Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit (1972) dhe është autor i dy studimeve monografike për proceset njësuese në formimin e shqipes letrare të sotme. Si studiues në gjuhësinë ballkanologjike Bahri Beci ka lënë gjurmë me kontributet për pozicionin e shqipes në lidhjen gjuhësore ndërballkanike.
Bahri Beci sintetizoi arritjet e punës së tij në vepra me karakter normativ. Vepra shkencore e Bahri Becit karakterizohet nga sinergjia e studiuesit në ekspeditë kërkimore dhe njëherësh në një proces formimi të thelluar bashkëkohor perëndimor.
Homazhet e lamtumirës për akademikun Bahri Becin do të bëhen ditën e martë, 22 gusht 2023, nga ora 09.00-11.30, në Akademinë e Shkencave, salla “Aleks Buda, dhe në orën 12.00 përcjellja për në banesën e fundit.