Nga Jakin Marena
Vera është e nxehtë dhe bashkë me vapën ka ardhur dhe zhdukja nga ekrani i emisioneve televizive, qoftë ato me të ashtuquajturit VIP-a shqiptarë ashtu dhe ato politike.
Ka mbetur ndonjë tek tuk, me panelistë që ende s’kanë shkuar në plazh apo që për shkak të moshës dielli i fortë ua mohon rrugën për në bregdet dhe që interpretojnë zhvillimet e fundit në vend si në kohë vape. Megjithëse njëlloj me sa duket kanë qënë dhe pa ardhur vapa.
Dhe bashkë me këta panelistë, janë dhe krerët e tre copave të PD, të cilët i kanë bërë ‘haram’ pushimet, pasi janë tepër të zënë në përballjen mes tyre për ‘pronësinë’ e vulës apo të së djathtës dhe që premtojnë riorganizim total të opozitës, për të nisur betejën finale jo kundër Ramës, se atë se lëvizin dot nga posti, por kundër njëri tjetrit.
I pari ka qënë Berisha, ai i cili i zënë me refuzimin e rezultatit të zgjedhjeve të 14 majit, duke dalë në konferenca thuajse të përditshme para mediave për të denoncuar atë që ai e quan krim zgjedhor si dhe me përpjekjet për destabilizimin e PD zyrtare, pushon vetëm në mbrëmje në vilën e tij milionëshe në Gjirin e Lalzit.
Ka dhe halle të tjera Berisha, si ato të përballjes me drejtësinë, për vete dhe familjarët e tij, si dhe është në kërkim të një ‘strehe’ politike, pasi me zgjedhjen e kryetarit të PD zyrtare, Lulzim Basha, më në fund e ka ‘qarë me lot’ vulën dhe siglën e PD.
Ndoshta do dorëzojë dhe selinë qëndrore buzë Lanës, të cilën e mori pas zgjedhjeve të 6 marsit të vitit 2022, pasi Gazmend Bardhi si sekretar i Përgjithshëm i PD zyrtare pa kryetar që ia hiqte shpenzimet e qirasë, ujin, dritat dhe pagat e punonjësve të pastrimit dhe rojes te porta, nuk ka asgjë të sigurtë as për vete, për shkak të përplasjes me kryesinë e PD dhe vetë Bashën, në përpjekje për të penguar këtë të fundit që të vinte në krye të PD zyrtare.
I dyti që ka lënë pushimet e këtij viti është Lulzim Basha, i cili pas një fushate me takime të vogla organizatë më organizatë e qytet më qytet, u zgjodh të dielën kryetar i PD me mbi 90 përqind të votave. Nuk ishte ndonjë suprizë, gjithnjë kështu ka fituar, por këtë radhë ishin shpallur si votues vetëm 25 mijë demokratë.
Basha mblodhi kryesinë e PD dhe ka dalë sërish qytet më qytet për të riorganizuar PD zyrtare që ka mbetur, ndoshta dhe pas ‘fraksionit’ të Bardhit, për të ringritur strukturat e demokratëve dhe për të përgatitur më 2 shtator Kuvendin Kombëtar të PD, që do zgjedhë Këshillin e ri Kombëtar, sekretarin e ri të përgjithshëm e më pas sipas rendit dhe kryesinë e re. Kuptohet, Bardhi ndonëse ka dërguar letra e ankesa në Gjykatë, gjasat janë të sigurta se se nuk do të ketë vend pas shtatorit në kupolën e PD zyrtare të drejtuar nga Basha, ndërkohë që s’përjashtohet mundësia që të krijojë partinë ‘digjitale’.
Ajo që i bashkon grupimin e Berishës dhe atë të Bardhit është akuza ndaj Bashës, se rikthimi i tij në krye të PD është thjeshtë dhe vetëm për t’i shërbyer Edi Ramës. E thonë vend e pavend një gjë të tillë, anipse Berisha dështoi që të fitonte zgjedhjet e 14 majit pavarësisht largimit të Bashës nga drejtimi i PD zyrtare një vit më parë duke mos i ‘shërbyer’ Ramës, anipse vetë Bardhi, por dhe Tabaku e grupi kundër Bashës, nuk arritën që për një vit e ca të bëhen liderë dhe të marrin drejtimin e këtij grupimi të demokratëve. Përkundrazi e katandisën deri aty sa të dalë me kandidatë për kryebashkiakë vetëm në 14 bashki, nga 61 bashki që ka gjithë vendi. Për më tepër që gjithë ky grupim u vu në mbështetje të kandidatëve të Berishës, duke lënë jetimë, madje dhe pa kokërr leku kandidatët e PD zyrtare, ku rasti më flagrant është Roland Bejko në Tiranë.
Por përpos sulmeve nga këto grupime të PD zyrtare nisin e dalin dhe teoritë ‘konspiracioniste’ sipas të cilave Edi Rama po përgatitet të marrë Lulzim Bashën në qeveri, për ta pasur si ministër në kabinetin e vet qeveritar, 100 përqind përfaqësues socialistë, që qeverisin në mandatin e tretë. E hedhin si ‘rastësisht’ një version të tillë, i cili kapet menjëherë në ‘ajër’ nga panelistët afër Berishës, nga këta që kanë mbetur pa shkuar në plazhe, apo dhe ata që kanë përmbi dy dekada në ‘diasporë’ dhe akoma nuk e kanë marrë vesh se ka ndryshuar Shqipëria, ndryshe nga ora ‘zemreku’ i së cilës për ta ka mbetur pikërisht një ‘orën’ kur janë larguar vetë nga Shqipëria. Por s’mbetën pas dhe ata që janë ‘punëtorë partie’ në rrjetet sociale, që e shumëfishojnë këtë teori.
Ka tendencë për ta argumentuar një ‘fabul’ të tillë me arrestimet më të fundit të SPAK, ku një ish ministër dhe një ish deputet janë në burg, ndërkohë që ish zv.kryeministri i qeverisjes së PS është në kërkim ndërkombëtarë. Të gjithë të akuzuar për korrupsion. Por dhe me lëvizjet e forta të SPAK që po godet, sëpaku ata që janë në pushtet.
Dhe sipas ‘analizave’ të këtyre panelistëve, që për hir të së vërtetës e morën më qafë opozitën, në fillim me Bashën që e shtynë që të përdorë forcën kundër Ramës dhe institucioneve, e më pas me djegien e mandateve e bojkotin duke e yshtur se ‘Rama e ha presionin’ apo dhe duke ia ‘pjekur’ mendimin se puna e kryeministrit është me radhë, dhe Rama duhet të ikë pas dy mandateve. Ndërsa tani, duke ua ‘përkëdhelur’ kokën me argumentin se do të vijnë në pushtet përmes SPAK. Për hir të së vërtetës në popull po shihet më shumë si një përpjekje e Berishës dhe mbështetësve të tij për të mbajtur larg vetes SPAK, pasi kanë një mal me dosje nën hetim për zullumet e kryera në tërë vitet e qëndrimit në pushtet, se sa të vijnë në pushtet ‘qyl’. Ose dhe p[ër presion ndaj SPAK.
Ndërsa teoria tjetër që ka zënë vend tashmë tek opozita është ajo e zgjedhjeve të parakohëshme, të cilat do t’i thërrasë vetë Rama. Caktojnë dhe data e muaj madje. Pavarësisht se Berisha dhe të tijtë e dinë si dreqi dhe sikur sot të bëhen zgjedhjet e parakohëshme, nuk fitojnë. Madje mund të humbasin më shumë mbështetje se sa në zgjedhjet e 14 majit, sepse opozita është copë copë.
Në krye të herës duhet të ripërsërisim, jo se nuk e dinë por thjeshtë të gjithë këta elementë po përpiqen të bëjnë lajme vere, se mazhoranca socialiste ka plot 74 vota dhe bashkë me aleatin apo ndonjë deputet tjetër tek tuk mund të shkojnë në 80 deputetë. Për 4 deputetë, mazhoranca ka shumicë të cilësuar. Nuk ka asnjë krizë brenda mazhorancës që mund të sjellë ‘krisje’ dhe rënie të qeverisë. Apo nevojë për votëbesim në Parlament apo me zgjedhje tek qytetarët.
E dyta, zgjedhjet e parakohëshme mund t’i imponojë opozita. Në vendet normale ndodh kjo. Në Shqipëri, opozita është e ndarë copë copë, ndërkohë që vetë PD si partia më e madhe opozitare që ka qënë sëpaku deri në vitin 2021, po realizon tashmë ndarjen e tretë, me shumë gjasa me fraksionin e Gazmend Bardhit, që ikën nga PD zyrtare e drejtuar nga Basha. Ndërsa Berisha ka ikur me kohë e me vakt dhe është në krye të “Rithemelimit”, një grupim ky i dalë nga PD, me më shumë mbështetje deri më tani, por që s’ka as sigël, as vulë dhe është në të ‘zezë”. Dhe një opozitë e ‘vdekur’ politikisht nuk imponon zgjedhje të parakohëshme.
E treta, Edi Rama nuk ka asnjë shqetësim që të shpallë zgjedhje të parakohëshme, teksa ka shënuar progres në qeverisjen e vendit, ka numrat për të qeverisur dhe ka një opozitë të mbaruar përballë. Dhe për më tepër është dhe një llogari e thjeshtë arithmetike. Kur ka të sigurtë një mandat të katërt qeverisës, me këtë opozitë copë copë përballë që do të jetë akoma më keq në vitin 2025 e vijim, pse të mbyllë mandatin e tretë me 3 vite qeverisje. Pasi nuk ka asnjë rrezik përballë.
Në fund të herës, ajo që mund të themi është se kjo ideja që buron nga opozita dhe përçohet nga mbështetësit e tij në rrjetet sociale dhe panele për zgjedhje të parakohëshme apo dhe për përfshirjen e Lulzim Bashës në qeverisjen e socialistëve, duhet ta ndajnë mendjen, se nuk shkojnë të dyja bashkë dhe njëherësh. Të mbajnë linjën politike të zgjedhjeve të parakohëshme dhe të presin ndonjë ‘dhuratë’ nga Rama nëse i lind në zemër ose atë të akuzave ndaj Bashës se do të ftohet nga Rama në kabinetin qeveritar të socialistëve. Pra, s’duhet të shpërndahen në ‘kauza’, qoftë dhe këto spontanët, që janë bërë të modës tashmë tek PD dhe opozita.