Neymar mund të rikthehet tek Barcelona këtë merkato dhe për ta realizuar këtë transferim mund të vijë në ndihmë një klub Arab.
Sipas mediave franceze, braziliani ka biseduar me agjentin e tij dhe së bashku kanë vendosur largimin nga “Parc des Princes”. 31-vjeçari dëshiron rikthimin në Barcelonë edhe pse transferimi duket i pamundur për shkak të problemeve financiare të katalanasve.
Megjithatë për ta realizuar rikthimin e “Oney-t” tek ish-ekipi i tij mund të ndihmoje një klub nga Arabia Saudite. Siç raportohet, agjenti i brazilianit është në bisedime me një klub, i cili fillimisht është i gatshëm të paguajë klauzolën e largimit të tij nga PSG dhe më pas ta huazojë lojtarin e përfaqësueses braziliane tek Barcelona.
Ideja e agjentit është që klubi Arab ta blejë Neymar nga PSG dhe ta huazojë atë tek Katalanasit, ku sulmuesi do të qëndrojë për 1 ose 2 vite dhe më pas të shkojë në ligën arabe ku do të mbyllë karrierën. Gjithashtu këto 2 vite, klubi arab do të përdorë edhe imazhin e brazilianit. Megjithatë operacioni duket i vështirë pasi askush nuk dëshiron të investojë për një lojtar dhe më pas ta lërë atë në huazim për 2 vite plus që problem ngelet dhe mosha e sulmuesit pasi Neymar do të shkonte në Arabi vetëm në moshën 33-vjeçare dhe në aspektin sportiv nuk do të ishte shumë e leverdisshme.
Gjithsesi një gjë është e sigurt, lojtari nuk do të vazhdojë me PSG, dhe marrëveshja me klubin Arab duket metoda e vetme që Neymar të veshë fanellën e Barcelonës. 31-vjeçari u largua nga katalanasit në vitin 2017 për tu transferuar tek PSG për shifrën rekord të 222 mln Eurove, por aventura e tij në Paris nuk shkoi siç ishte planifikuar dhe tashmë braziliani mendon se ka ardhur koha për ti dhënë lamtumirën kryeqytetit francez.