Luca Gardini, një nga somelierët më të njohur në botë dhe i njohur për arritjet e tij të shumta në botën e verës, nga sot është dhe “Qytetar Nderi” i Bashkisë së Dimalit. Ky titull i është dhënë për angazhimin e jashtëzakonshëm dhe kontributin e tij në promovimin e vlerave të komunitetit vendor.

Luca Gardini fitoi famë ndërkombëtare për herë të parë si somelier më i mirë në Europë në vitin 2009, dhe pas kësaj arritje, ai vazhdoi të shkëlqejë në skenën ndërkombëtare të verës. Titulli i somelierit më të mirë në botë iu nda në vitin 2010, duke e konfirmuar atë si një ekspert të vërtetë në botën e verës. Gjithashtu, Gardini u njoh si kritiku më i mirë i verës italiane në botë në vitin 2022.

Në ceremoninë e organizuar, kryebashkiakja Juliana Memaj u shpreh se brandimi i produkteve të zonës dhe promovimi i tyre ka qenë një nga strategjinë e ndjekura nga Bashkia Dimal. “Jemi një bashki e vogël me karakter kryesisht rural e shquar për produktet e saj falë një pune të palodhur të bërë nga fermerët e zonës dhe në rastin konkret më vjen mirë që dhe në konkursin e fundit të verërave nëpërmjet someleriarit që ne e kemi “Qytetarin tonë të nderit”, Luca Gardini, u shpall një nga pesë verërat më të mria në botë në Milano. Në strategjinë tonë të zhvillimit ka qenë pjesë dhe promovimi i produkteve tona. Patjetër që në strategjinë tonë të zhvillimit ka qenë edhe brandimi i produkteve të zonës dhe evidentimi apo bërja e dukshme e potencialeve tona të zhvillimit. Sot jemi të nderuar që kemi një emër dinjitoz në histori dhe kur të kemi në emrat e produkteve tona dhe një adresë me emër Dimal, do të thotë dicka. Ambasadorët më të mirë të prezantimit të produkteve janë vetë njerëzit, prodhuesit, por dhe arti dhe kultura rrinë në krah shumë mirë dhe fuqishëm dhe ne duhet ta përqafojmë për ta përfaqësuar denjësisht bashkinë tonë kudo”, deklaroi Memaj.