Kombëtarja shqiptare e futbollit ka çuar peshë tifozët kuqezi, që një muaj para ndeshjes së radhës në Tiranë kanë blerë thuajse të gjitha biletat për ndeshjen kualifikuese të Euro 2024 për grupin E, kundër Polonisë.

Djemtë e Sylvinhos do luajnë ndaj Polonisë në datën 10 shtator në orën 20:45, me stadiumin “Air Albania” që do jetë i tejmbushur. Një muaj para sfidës, bëhet me dije se janë shitur më shumë se 19 mijë bileta, nga 21 mijë që janë në total në shitje.

Biletat e mbetura për këtë duel janë në shitje vetëm online, me fansat kuqezi që kanë treguar interes të shtuar për një duel që mund të jetë deçiziv për tanët në rrugëtimin për të siguruar një vend në finalet e Euro 2024.

Përpara ndeshjes me Poloninë në Tiranë, “Shqiponjat” do përballen me Çekinë në Pragë (7 shtator), po për grupin E kualifikues. Pas tre ndeshjeve të para në këtë grup, Çekia prin me shtatë pikë, një më shumë se Shqipëria ndjekëse. Moldavia ka pesë pikë për vendin e tretë, Polonia me tre pikë mban vendin e katër dhe Ishujt Faroe me një pikë pozicionohen në vendin e fundit.