Më 7 shtator, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të mirëpresë në takim presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur aleanca ushtarake perëndimore. Pritet që në takimin Stoltenberg-Osmani temë kryesore të jetë situata e sigurisë në Kosovë, veçmas në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe.

Në njoftimin e NATO-s për këtë takim, sikurse edhe në të kaluarën kur ka pasur vizitorë nga Kosova, nuk përmendet funksioni që mban Osmani. “Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të takojë zonjën Vjosa Osmani-Sadriu”, thuhet në njoftim, ku shtohet se pas takimit, dy zyrtarët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

NATO-ja disa herë ka shprehur mbështetjen për procesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Po ashtu, aleanca ka kërkuar nga të gjithë faktorët në rajon që të bëjnë maksimumin për të ulur tensionet. Gjithashtu, NATO ka përsëritur se do të mbetet e përkushtuar që përmes misionit paqeruajtës në Kosovë, KFOR, të ofrojë qetësi dhe siguri për të gjithë në Kosovë.

Për shkak të tensioneve në veri të Kosovës, që janë rritur që nga fundi i majit, NATO-ja ka rritur numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it. Stoltenberg ka deklaruar disa herë se NATO-ja ka forca të mjaftueshme për të zbatuar misionin e saj në Kosovë.

Ndërkaq, Kosova ka shprehur ambiciet e saj për t’u integruar në aleancë, së pari përmes përfshirjes në programin e Partneritetit për Paqe, e më as edhe anëtare e NATO-s.

Por, NATO-ja ka theksuar se për secilin veprim në këtë drejtim vendimet në aleancë merren me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare. Në NATO, katër nga 31 vende anëtare (Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia) nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.