Ditën e djeshme në qytetin e Himarës u mbajt një protestë për lirimin e Fredi Belerit.

Një pjesë e madhe e të pranishmëve kishin ardhur nga Greqia, përfshi edhe dy kryebashkiakët, ai i Athinës dhe Selanikut.

Edhe në këtë protestë nuk munguan thirrjet për “shpëtimin e helenizmit”, që sipas tyre është nën kërcënim.

Të pranishmit kërcënuan edhe shtetin shqiptar, duke thënë se burgosja e Belerit do të bllokojë integrimin në Bashkimin Europian.

Sakaq, gazetari Artan Hoxha ka publikuar pamjet me dron nga protesta, ku dallohet një prezencë e vogël qytetarësh.

Mesa duket, pjesa më e madhe e himariotëve kanë qenë të zënë duke vjelur frytet e turizmit që këtë vit ka lulëzuar si kurrë më parë.

Hoxha bën humor me praninë e vogël të protestuesve, duke thënë se edhe një miku i tij mbledh më shumë njerëz, kur i bie goma e makinës.

“Live nga shetitorja e Himarës…

Nëse nuk do të isha në Himare, por do ta ndiqja protestën në mbështetje të Dhionisios Alfred Petro Beleris, nga mediat greke apo mediat shqiptare, do të besoja se këtu po bëhet nami…

Në të vërtetë, Himara është në një pasdite të qetë mesgushti, kur pushuesit vazhdojnë plazhin për hesap të tyre.

Kaq mbështetës sa kanë mbledhur kryebashkiakët e Athinës dhe të Selanikut në shëtitoren e Himarës, një miku im nga Luftinja e Tepelenës, i mbledh kur i bie goma e makinës…

E ka thënë një shekull më parë i madhi Ali Asllani nga Vajza e Lumit të Vlores: “Koha është e maskarenjeve, por Atdheu është i shqiptarëve…”, shkruan Hoxha.