Nga Mero Baze/

Lulzim Basha dhe Sali Berisha janë tani dy udhëheqës formal të opozitës, të ndarë në dy parti. Është e qartë që Sali Berisha po përpiqet të marrë me çdo kusht primatin mbi opozitën për ta pasur fushën bosh, ndërsa Lulzim Basha po përpiqet të mbajë pas vetes pjesën anti Berishë të opozitës. Deri këtu gjithçka duket e qartë. Ajo që është e paqartë, ka të bëjë me sjelljen e këtyre grupimeve ndaj njëri- tjetrit. Sali Berisha ka një sjellje shumë të qartë. Ai e konsideron Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike zyrtare, një armike të opozitës së tij, me të cilën nuk ka ndërmend as të bëjë koalicion, as marrëveshje, dhe as të bashkëpunojë në asnjë formë.

E thotë këtë me shumë qartësi, për të dekurajuar çdo përpjekje të PD zyrtare, por dhe njerëzve të tij, që herë pas here i kërkojnë të bashkëpunojnë, sidomos para zgjedhjeve. Atij i duhet bosh fusha e opozitës dhe për këtë nuk bën asnjë tolerim, ndaj kujtdo që do t’i përzihet nëpër këmbë. Përkundër tij, PD zyrtare e ka të paqartë qëndrimin ndaj Berishës. Ajo e sulmon atë, e konsideron fatkeqësi për opozitën, e konsideron të inkriminuar, madje dhe bashkëpunëtor të Edi Ramës, por kur vjen puna tek zgjedhjet, ajo ja lë atij fushën bosh.

E bëri këtë në mënyrë të pashpjegueshme më 14 maj dhe nuk e bëri se nuk kishte kandidat apo mbështetës. Kishte madje me shumicë. Por e bëri me një arsyetim gati më shumë se idiot, që duke mos kandiduar, nuk do kuptoheshin sa vota kishin dhe do t’i kërkonin pastaj llogari Berishës pse humbi. Berisha humbi, i fajësoi ata për humbjen dhe vazhdoi punën e tij, ndërsa Lulzim Basha tani mbledh 120 këshilltarë gjithësej në gjithë Shqipërinë në një sallë, fryt i fushës bosh që i la Sali Berishës më 14 maj.

E njëjta situatë duket se po përsëritet dhe në zgjedhjet e pjesshme të Kuksit. Berisha bëri primaret e veta, duke përjashtuar çdo shans bashkëpunimi me PD zyrtare, ndërsa kandidati i mundshëm i PD zyrtare nxori emrin dhe e tërhoqi pasi “i mungoi mbështetja e Berishës”.

Tani PD zyrtare duhet ta ndajë mendjen që nuk ka punë me Sali Berishën. Ai as i mbështet, as i duhen, as do t’ia dijë se ç’punë bëjnë ata. Ai thjesht i ka klasifikuar si armiq. PD zyrtare nëse do të mbetet ende parti, duhet të hyjë në gara elektorale, të marrë vota dhe fusë partinë në një gjimnastikë demokratike, të përfshirjes në zgjedhje.

Deri para zgjedhjeve të 14 majit, PD kishte privilegjin e shumicës së komisionerëve. Me atë që bëri më 14 maj, duke ja lënë fushën bosh Berishës, e ka humbur atë shumicë dhe ja ka lënë Berishës dhe Metës. Nëse vazhdon kështu, do ta humbasë dhe atë komisionerë dhe mund t’ia marrë ndonjë parti e tretë e opozitës.

Ideja që PD të përfaqësojë shumicën e heshtur të opozitës kundër Berishës pa hyrë në garë, është ide jo elektorale. Shumcia e heshtur opozitare kundër Berishës duhet të përfaqësohet në beteja elektorale, jo në debate politike. Ata nuk kanë nevojë për një kishë ku të falen, por për një parti ku të votojnë dhe të bëhen faktor politik në Shqipëri. Është e vërtetë që Edi Rama e mund Berishën dhe Metën edhe nëse nuk kandidon PD. E tregoi dhe gara e Rrogozhinës të njëjtin fenomen, pasi shumica e heshtur anti Berishë nuk shkon ta votojë Berishën.

Por kjo shumicë nuk është me Edi Ramën. Ajo ka nevojë të përfaqësohet. Duke e e lënë rrugëve, ajo në fakt kthehet në një lloj pasurie për Edi Ramën, i cili njësoj fiton, si të mos përfaqësohet kjo shumicë, si të përfaqësohet nga PD. Por PD, nëse vazhdon t’u shmanget garave, do të bëhet e padobishme për të gjithë, edhe për anti berishistët, edhe për opozitën madje dhe për vet Lulzim Bashën.