Mbrëmjen e sotme në Arenën Kombëtare zhvillohet miqësorja e luksit mes Partizanit dhe Romës. Për Erion Veliaj, ky rikthim i teknikut José Mourinho në Tiranë, ashtu sikurse edhe kthimi në një lajmtë zakonshëm të pushimeve të Dua Lipës në Shqipëri janë një histori e vërtetë suksesi. Në një lidhje live për Report TV, Veliaj tha se Tirana po përjeton sot ditët e saj më të mira me një boom turistik të panjohur më parë.
“Kemi pasur një bum të jashtëzakonshëm. Edhe sot që është e shtunë, gjithë sheshi Skënderbej mund të shikoje 10-12 grupe turistësh nga vende të ndryshme, gjuhë të ndryshme, kultura të ndryshme. Fatmirësisht kemi sot shumë hapësira akomoduese, përshirë edhe kullën te stadiumi, përfshirë edhe disa hotele të tjera me 5 yje që janë hapur në Tiranë. Na ndihmon, por nuk mjafton. Siç e patë dje dhe postimin e aeroportit të Tiranës, e kemi kaluar shifrën 4 milionë pasagjerë. Sot jemi duke numëruar milionat e vizitorëve që është problem, por është një nga ato problemet e mira,” u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se Tirana gjeneron sot 50% të ekonomisë kombëtare e kjo falë turizmit dhe hovit të zhvillimit teknologjik. “Turizmi dhe IT ishin periferike, edhe në programin tim, edhe në interesin publik, por dhe në ekonominë e qytetit. Sot turizmi dhe Teknologjia e Informacionit, pra vepra si hotelet e reja, apo si Piramida që janë në fakt përgjigja jonë për këto nevoja të tregut, zënë 50% të ekonomisë të Tiranës. Pra në qoftë se para 8 vitesh 50% e ekonomisë ishin tekstile dhe këpucë, sot 50% janë turizëm dhe Teknologji e Informacionit, para dhe valutë që vjen nga jashtë, rroga shumë më të mira sesa ato të fasonerisë, me gjithë respektin për gjeneratën e nënave tona dhe unë mund të them që ky është një lajm i mirë. Pastaj kur vjen Mourinho, vjen Roma, Partizani ka këtë ndeshje miqësore, ndërkohë nesër Egnatia me Interin, për Tiranën Kryeqytet Europian i Sportit janë super lajme,” nënvizoi ai.
Veliaj tha se për herë të parë i gjithë stadiumi kombëtar është sold out dhe një pjesë e madhe e biletave nuk janë blerë nga vendasit apo tifozët e Romës por edhe nga turistët që ndodhen në Tiranë.
“Ajo që më vjen mirë për Tiranën është që nuk i kemi suksesin sporadik, suksesi është i përsëritur. Pra, kur vjen Dua Lipa njëherë, është lajm i madh, por tani që vjen gjithmonë do të thotë që jemi stabilizuar si imazh. Kur vjen Rita Ora, ose kur vjen Ermal Meta, ose kur kthehet Mourinho për të dytën herë, do të thotë që Tirana është një histori suksesi në vijimësi, jo sporadike le të themi vetëm me një sebep. Të tilla sebepe paçim. Sot kam një lajm të mirë, varet në fakt edhe si e shikon, të mirë për ata që i kanë blerë biletat dhe të keq për ata që nuk kanë mundur të blejnë për bileta, jemi sold out. Pra i gjithë stadiumi, Arena Kombëtare, si një ndeshje e madhe e kombëtares, është i gjithi i shitur. Më vjen mirë dhe ajo që më habiti në mënyrën se si ishin shitur biletat, një pjesë e madhe janë turistë që i kapi fundjava në Tirana dhe çfarë super okazioni që jemi në Tiranë, jemi për një fundjavë pushimi në qytet ndërkohë ka aktivitete të tilla si ndeshja e Romës, kampionët e UEFA Konferencë League nga ndeshja me Feyenoord-in që rikthehen në Tiranë me Mourinho. Sot jemi sold out dhe më vjen mirë që është gjithashtu një biznes dhe ekonomi,” vijoi ai.