Futbollisti portugez, Cristiano Ronaldo ka shënuar një tjetër rekord në historinë e tij pas karrierës së artë me futbollin, duke u bërë personi i parë që arrin 600 milionë ndjekës në ‘Instagram’.
I njohur për shënimin e golave historik, tashmë Ronaldo i cili mban pozicionin e sulmuesit për Al Nassr ka arritur të fitojë më shumë se 150 milionë ndjekës që nga maji i kaluar, sipas Social Blade. Superstari i futbollit ia ka dalë të jetë një ndër sportistët më të pasur dhe më të suksesshëm në botë, duke numëruar një shumë prej 500 milionë dollarësh, kjo pasi për herë të parë që nga viti 2017, Cristiano Ronaldo kryesoi listën e Forbes, duke fituar edhe një titull të Rekordeve Botërore Guinness për fitimet më të larta vjetore për një sportist në vitin 2023.
Përveç fitimeve të tij si paga nga klubi i tij, ai ka kryesuar listën e të pasurve në ‘Instagram’ 2023, e cila është standardi global i ndikimit të mediave sociale. Sipas shifrave që janë shfaqur në këtë listë, pesë herë fituesi i Topit të Artë kërkon 3.23 milionë dollarë për një postim në ‘Instagram’.
Sakaq vendin e dytë në këtë kategori e zë rivali i tij prej kohësh, Lionel Messi ish-futbollisti i Barcelonës tashmë pjesë e Inter Miami që paguhet rreth gati 2.6 milionë dollarë për çdo postim. Dy yjet e futbollit ndërkombëtar, Ronaldo dhe Messi jo vetëm që fitojnë të ardhura të larta përmes postimeve në ‘Instagram’ në mesin e sportistëve por paguhen më shumë se të famshmit si këngëtarët, aktorët dhe artistët e tjerë.