Nga Mero Baze/
Zgjedhjet në Kukës që mbahen në fund të muajit që vjen, janë shembulli më dëshpërues për opozitën shqiptare dhe virusin shkatërrimtar të Berishës, që nuk e lë të ngrejë kokë. Zgjedhjet që vijnë pas një skandali të rëndë publik të ish- kryebashkiakut, edhe pse i inskenuar nga Sali Berisha, përsëri po kthehen në një gangrenë për opozitën, pasi njeriu që inskenoi shkatërrimin e karrierës së Gjicit, Sali Berisha, tani është faktori kryesor që socialistët ta rimarrin përsëri Bashkinë.
Opsioni normal, që Sali Berisha të mos impononte kandidatë me qëllim që të mos nxiste përçarjen në Kukës, nuk kishte asnjë shans. Qëllimi i tij është që në çdo rast që ka zgjedhje të bëjë betejë se si të mposhtë Lulzim Bashën, dhe jo si të mposhtë Edi Ramën. Dhe në këtë rast në Kukës bëri të njëjtën gjë. Edhe pse kandidatura e PD së Bashës është shumë konsesuale në opozitën në Kukës, ai kërkon që ai ose të kandidojë për të, ose do të ketë luftë.
Në çfarëdo rrruge që të shkojë kjo histori, është e sigurtë se do kemi dy kandidatë të opozitës dhe me shumë shanse një humbje të saj. Deklarata e sotme e Berishës, që thotë se do bëjë aleancë me këdo, por jo me Lulzim Bashën, nuk ka nevojë të deklarohet se është praktikë e punës së tij. Dhe me këdo, përveç Lulzim Bashës, i bie të jetë Edi Rama, i cili mund t’ia ketë zënë kokën me derë me kandidatin e vet Foltores së Berishës, që bën sikur mendohet.
Pra faktori Berisha në opozitë është dëshpërues, edhe pa pasur fare Basha kandidatë kundër tij. Fjala vjen në zgjedhjet e Rrogozhinës, Basha nuk vendosi kandidatë, madje shumë deputetë të tij vrapuan në krah të kandidatit të Berishës, por ja thelluan humbjen. Problemi që ka opozita me Berishën është se ai ka një kontingjent rreth 30 për qind të opozitës kundër. Ata edhe në qofte se i nxjerr kandidat, dhe nëse ja lë fushën bosh, nuk e votojnë Berishën dhe opozita humbet.
Dhe përkufizimi i duhur është që Berisha nuk e frymëzon dot opozitën, jo nuk e bashkon dot. Që nuk e bashkon, është e qartë, por dhe nëse ja lë fushën bosh, ai nuk e frymëzon dot. Ajo që ndodh në Kukës në fakt ndodh në gjithë hapësirën politike të Shqipërisë. Qeveria, e cila po bombardohet nga drejtësia, duke çuar ministra dhe deputetë në burg, është ende e pasfidueshme nga opozita për zgjedhje të reja, por vazhdohet me retorikën bosh kundër saj.
Retorika kundër opozitës sa më e fortë të jetë, aq më dëshpëruese është kur njerëzit e kuptojnë që këta kanë vetëm fjalë. Edi Ramën do ta dërrmonte dhe një fjalim i butë në parlament, nëse njerëzit do të bindeshin se nëse do të shkonin në zgjedhje, nuk do të kishin punë me Sali Berishën, por më një fytyrë të re, që thjesht nuk ka lidhje me të. Ndaj zgjedhje të pjesshme si këto të Kukësit, janë një rast për të kuptuar dëmin afatgjatë që Berisha i bën opozitës dhe nderin afatgjatë që i bën Edi Ramës. Ajo nafta e Shpiragut nuk është asgjë para Berishës për qeverinë. Se ajo dhe mund të mos dalë, kurse Berishën e kanë në tavë.