Policia ka arrestuar disa orë pas ngjarjes autorin e plagosjes së efektivit të policisë në Lukovë, që hyri për të ndarë një sherr.

Punonjësi i Policisë është goditur me thikë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Ngjarja ndodhi orës 23:00, te kthesa e fshatit Pilur ku disa shtetas po konfliktoheshin fizikisht me njëri-tjetrin.

Efektivi 28 vjeçar me iniciale R. Ç., ishte duke kaluar në rrugë jashtë orarit të shërbimit dhe kur ka parë personat që po konfliktoheshin ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.

Por gjatë përpjekjes për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, njëri prej personave të përfshirë në sherr, 60-vjeçari Thodhor Mërkuri, nga fshati Pilur, e ka goditur me thikë.

Thodhor Mërkuri pasi goditi punonjësin e Policisë është larguar menjëherë duke përfituar nga errësira, por u vendos në pranga nga uniformat blu.

28 vjeçari i plagosur ishte me detyrë inspektor i Policisë së zonës Lukovë.