Tabloidi i njohur britanik “The Sun” është media e radhës që i kushton një hapësirë të veçantë bumit turistik të Shqipërisë këtë verë.
Ajo konfirmon se vendi ynë ishte kryefjalë e kësaj vere duke sjellë në vëmendje epitetin që “Financial Times” i vuri Shqipërisë si duke e quajtur “Italia e vogël”.
“The Sun” shkruan se muajt e fundit Shqipëria ka parë një fluks të madh vizitorësh për shkak të plazheve fantastike dhe çmimeve më të lira.
Gazeta thotë se rritja e popullaritetit të vendit ka ardhur kryesisht falë ushtrisë së ndikuesve të mediave sociale që kanë pushuar në rivierën shqiptare.
Nënvizohet se vendi ka tërhequr edhe shumë vizitorë të profilit të lartë, përfshirë Kryeministren italiane Giorgia Meloni e cila vizitoi bregdetin shqiptar me familjen e saj.
“The Sun” thotë se nuk janë vetëm plazhet fantastike të Shqipërisë, por edhe çmimet e lira që kanë joshur turistët, nga akomodimi në hotel deri te restorantet dhe shezlongët.
Vlora, Dhërmiu, Ksamili, Himara dhe Saranda sugjerohen si destinacionet më interesante të rivierës shqiptare.
“The Sun” sugjeron për t’u vizituar megjithatë edhe Tiranën që sipas saj kryesoi listën e qyteteve më të lira për vitin 2021.