Barcelona doli me tre pikë të plota nga një transfertë e ndërlikuar si ajo me Villareal. Katalanasit triumfuan me shifrat 3-4 teksa trajneri Xavi Hernandez është i kënaqur nga karakteri që tregoi skuadra duke besuar te suksesi edhe kur ishte duke humbur 3-2. Ndër të tjera, tekniku i blaugranave shtoi se pret që në ditët e fundit të merkatos, organika të plotësohet me një anësor dhe një sulmues.

“Skuadra më pëlqeu shumë sidomos në pjesën e dytë, mund të them me siguri se ishin minutat më të mira të këtij sezoni, por ndoshta ishin edhe minutat më të mira duke përfshirë edhe disa ndeshje nga viti i kaluar. Jam shumë krenar nga ajo që pashë në pjesën e dytë, skuadra u shfaq ambicioze, kontrolloi dhe dominoi lojën. Pjesa e dytë ndaj Villareal është pika e referimit për vazhdimësinë e sezonit.

Lamine Yamal? Kemi shumë pritshmëri për Yamal dhe dua t’iu them se nuk e aktivizoj nga rastësia, ai e meriton. E shohim çdo ditë që ka kapacitetin për të bërë diferencën, është i “gatuar” ndryshe nga të tjerët.

Vendimet në fushë që duhet të marrin lojtarët janë gjithnjë të vështira, por Yamal merr thuajse gjithnjë vendimet e duhura prandaj edhe luan titullar. Është i pjekur dhe me personalitet pavarësisht se është vetëm 16-vjeç. Por, edhe ai do ta ndjejë në vazhdimësi konkurrencën sepse jemi te Barcelona këtu”, u shpreh Xavi.