E ndërtuar që në vitin 1968, diga mbi Liqenin e Çekrezës po rikonstruktohet nga Bashkia e Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet.
“Bashkë me digën kemi bërë edhe investimin e rrugës, ndaj për të ardhur në Çerkezë, vetëm 15 km nga Tirana, do të jetë edhe më e thjeshtë. Këtë projekt do e quajmë të mbyllur deri në fund të gushtit”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku zbuloi edhe dy projekte të ngjashme, një prej të cilave ai i Liqenit të Linzës, që do t’i japë një hov të ri zhvillimi gjithë zonës së Freskut.
“Plani tjetër është liqeni i Linzës. Është një liqen më i vogël, por në një zonë më të dendur. Po të shihni, është rrethuar me një ullishte, është disa herë më e sistemuar dhe më e lidhur me infrastrukturë seç ka qenë Farka, kur ne filluam investimin. Një projekt tjetër, që besoj do jetë jetik për Zall Herrin, është lidhja mes Zall Herrit dhe Tufinës, aty ku përfundon Rruga e Arbrit. Në fakt, segmenti në vijë ajrore është shumë i shkurtër, por s’ka infrastrukturë”, tha ai.
Veliaj u ndal edhe tek përgatitjet për vitin e ri shkollor që nis në shtator. Pas 50 shkollave të reja të hapura në Tiranë, këtë vit është gati paketa me 10 shkolla të tjera të reja.
“Dua të njoftoj të gjithë qytetarët se po përgatitemi për fillimin e sezonit shkollor. E di që ka pasur një fluks të jashtëzakonshëm në çerdhe e kopshte, ndaj po bëjmë maksimumin të akomodojmë të gjitha kërkesat, sigurisht duke respektuar rregullin që kemi vënë. U kërkoj të gjithë qytetarëve të bashkëpunojnë me njësitë administrative. Koha që ti futesh mik dhe merr një adresë fiktive për të regjistruar fëmijët në një shkollë, që legjenda urbane thotë se është më e mira, nuk ekziston më. Shkollat që kanë qenë më të mira në vitet ’80 e ’90, janë po aq të mira sa edhe shkollat e reja që sapo kemi hapur”, u shpreh kryebashkiaku.