Futbollistja spanjolle Jenni Hermoso tha të premten se “në asnjë moment” nuk kishte pranuar të puthej në buzë nga presidenti i federatës spanjolle të futbollit, Luis Rubiales. Zonja Hermoso lëshoi një deklaratë disa orë pasi zoti Rubiales pretendoi në një takim urgjent të federatës spanjolle të futbollit se puthja ishte bërë me pëlqimin e futbollistes spanjolle. Përballë shkarkimit të tij të mundshëm nga detyra, zoti Rubiales refuzoi të jepte dorëheqjen pavarësisht reagimeve që shkaktoi me puthjen, e cila ndodhi gjatë ceremonisë së dhënies së medaljeve të dielën e kaluar pas finales së Kupës së Botës për femra në Australi.

“Unë nuk do të jap dorëheqjen”, deklaroi Luis Rubiales katër herë radhazi në takim. 46-vjeçari Rubiales është nën presion të jashtëzakonshëm për të dhënë dorëheqjen nga posti. Kombëtarja spanjolle e futbollit për femra kërcënoi se nuk do të zhvillojë asnjë ndeshje tjetër deri sa zoti Rubiales të largohet nga posti. Puthja dëmtoi festimet e titullit para një publiku global dhe kritikat ndaj tij janë shtuar me kalimin e kohës. Kryeministri në detyrë i Spanjës, sindikatat e lojtarëve, lojtaret e ekipit të Spanjës, madje edhe disa lojtarë të ekipeve të meshkujve kanë thënë se ai duhet të largohet.

Disa media spanjolle të lajmeve raportuan të enjten se zoti Rubiales do të largohej. Në vend të kësaj, ai mbajti një qëndrim sfidues të premten, duke pretenduar para asamblesë së federates spanjolle të futbollit se puthja ishte “e ndërsjellë dhe me pëlqimin” e futbollistes Hermoso dhe se ai ishte viktimë e një gjuetie shtrigash nga “feministet e rreme”. Ai u duartrokit nga asambleja, e dominuar nga meshkujt. Ndërsa Rubiales vazhdon të rezistojë, nënkryetari i federatës Rafael del Amo, i cili kishte qenë në krye të futbollit të femrave, njoftoi dorëheqjen, e cila u pasua nga dorëheqjet e të paktën dy anëtarëve të tjerë të federatës. Del Amo i kishte kërkuar zotit Rubiales gjithashtu të jepte dorëheqjen. Mes atyre që i dhanë mbështetje zotit Rubiales ishin trajneri i ekipit kombëtar të femrave, Jorge Vilda dhe trajneri i ekipit kombëtar të meshkujve, Luis de la Fuente. Deri në takimin e asamblesë së futbollit të premten, ai nuk kishte marrë asnjë mbështetje publike në Spanjë, me partitë politike si nga e majta ashtu edhe nga e djathta që flisnin kundër tij. Federata e futbollit fillimisht iu përgjigj skandalit duke lëshuar një deklaratë në të cilën futbollistja Hermoso minimizonte veprimin e zotit Rubiales. Më vonë, megjithatë, portali sportiv Relevo.com njoftoi se federata e kishte detyruar futbollisten Hermoso të bënte deklaratën. Federata e mohoi këtë në një koment për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Hermoso kishte thënë në një video të transmetuar në rrjetet sociale pas puthjes të dielën e kaluar se “nuk më pëlqeu, por çfarë mund të bëj?” Më vonë, sindikata e lojtarëve lëshoi një deklaratë në emër të saj duke thënë se do të mbronte interesat e saj dhe do të sigurohej që veprimi “të mos kalonte pa u ndëshkuar”. Në fjalimin e tij në asamble të premten, zoti Rubiales tha se futbollistja Hermoso “më ngriti lart” në një gjest festiv dhe ai i kërkoi asaj “një puthje të vogël?” dhe ajo “tha po”.

“Një puthje të ngjashme mund t’i jepja njërës prej vajzave të mia”, tha zoti Rubiales. Transmetimi televiziv i ceremonisë së medaljeve nuk tregoi momentet e para kur Rubiales uroi futbollisten Hermoso. Por më vonë pamjet e tregonin atë me këmbë në tokë dhe me duart në fytyrën e futbollistes para se ta puthte atë. Hermoso kundërshtoi rrëfimin e zotit Rubiales në një deklaratë të lëshuar më vonë përmes sindikatës së lojtarëve FUTRPO. Ajo tha se “në asnjë moment nuk dhashë pëlqimin për puthjen dhe në asnjë moment nuk u përpoqa të ngrija në ajër presidentin. Nuk do të tolerojë askënd të vërë në dyshim fjalët e mia ose të shpikë fjalë që nuk i kam thënë unë”, thuhet në deklaratën e futbollistes spanjolle.

Rubiales tha se do të mbronte nderin e tij në gjykatë kundër politikanëve, përfshirë dy ministra, të cilët e quajtën puthjen e tij një akt dhune seksuale. Njëra prej tyre ishte zëvendëskryeministrja në detyrë Yolanda Díaz, e cila i kërkoi qeverisë të merrte “masa urgjente”. Ajo bëri thirrje për shkarkimin e tij. Alexia Putellas, bashkëlojtarja e futbollistes Hermoso dhe dy herë fituese e Topit të Artë, postoi një mesazh mbështetjeje në platformën X, e njohur më parë me emrin Twitter.

“Kjo është e papranueshme”, shkroi lojtarja e Barcelonës. “Unë jam me ty, shoqja e ime e skuadrës, Jenni Hermoso.” Anëtaret e tjera të skuadrës gjithashtu shprehën mbështetje për lojtaren Jenni Hermoso. Presidentja e ligës së femrave në Spanjë, Beatriz Alvarez, i tha transmetuesit shtetëror spanjoll RTVE se ajo nuk ishte e befasuar sepse “egoja e Rubiales është mbi dinjitetin e tij”. “Ajo që më befason dhe më skandalizon janë fjalët e tij”, tha zonja Alvarez. “Sa herë që flet ai tregon se çfarë lloj personi është në të vërtetë.”

Qeveria e Spanjës po planifikon të ngrejë një padi ndaj zotit Rubiales për shkelje të ligjeve të vendit për sportin, tha të premten Víctor Francos, Sekretar i Shtetit për Sportin dhe kreu i Këshillit të Lartë për Sportin në Spanjë. Nëse Gjykata Administrative e Spanjës për Sportin pranon të dëgjojë padinë, këshilli do ta pezullonte përkohësisht zotin Rubiales në pritje të vendimit të gjykatës, tha zoti Francos. Nëse shpallet fajtor për veprime seksiste, zotit Rubiales mund t’i hiqet e drejta për të mbajtur një post të lartë.