Pas ankesave se sistemi online i Kadastrës nuk po funksionon dhe se ka vonesa apo gabime në përgjigjet e kthyera, Kryeministri Edi Rama ka reaguar duke thënë se sistemi funksionon.Në një konferencë shtypi nga Kryeministria, Rama bëri të ditur se gabimet kanë të bëjnë me aplikimet e bëra nga qytetarët.Kryeministri zbuloi gjithashtu se 30% e aplikimeve të bëra gabim janë nga noterët.
“As nuk diskutohet që sistemi funksionon njëherë e parë e punës dhe sistemi monitorohet në kohë reale. Por jemi në fazën kur sistemi duhet të mësohet nga ata që i përdorin dhe nga ana tjetër dhet të kapërcejë presionin negativ të atyre që kanë humbur pushtetin mbi Kadastrën. Noterë, sekserë, buburreca brenda në Kadastër, nuk ka më pushtet mbi fatin e aplikimit të një qytetari.
Dhe nga analizat e bëra po ju jap një fakt. 30% e aplikimeve të noterëve bëhen gabim. Sistemi ka një të keqe që nuk i futesh dot mik, o ta pranon o s’ta pranon. Pastaj, me sistemin e ri është bërë një operacion masiv i trajtimit të aplikimeve të mbetura. Që do të thotë kthim përgjigje për prapambetjet. Kultura e punës, njerëzit e mësuar ndryshe, ç’orientimi sepse shumë nga ata në Kadastër që e nxirrnin muajin jo me rrogën por me nderet që bënin, krijojnë ngërçin e tyre.
Kjo periudhë ka që vijnë shumë njerëz nga jashtë të mësuar me sistemin e vjetër dhe numri i aplikimeve ka pasur rritje shumë të madhe në periudhën e Gushtit. Në 15 Gusht për shembull, 32,534 aplikime. Me këtë sistem nuk ka rëndësi fare ku je. Mund të aplikosh për titullin e pronësisë nga Amerika.Është perfekt sot funksionimi? Aspak. Pse? Sepse duhet të riaxhustohet gjithë ndërveprimi njerëzor. Kadastra do ketë rrjedhje të numrit të punonjësve ekzistues. Dorëheqjet vazhdojnë atje”, tha ndër të tjera Kryeministri Edi Rama.