Shqipëria është në vendin e dytë në botë për rritjen e turizmit në 6-mujorin e parë të vitit 2023 krahasuar me të njëjtën periudhë para pandemisë. Të dhënat vijnë nga Organizata Botërore e Turizmit. Sikurse shihet në këtë grafik Arabia Saudite është në vendin e parë me 64% më shumë se gjysma e parë e vitit 2019, ndërsa Shqipëria në vendin e dytë me 59% që e përkthyer në shifra është më shumë se 1.2 milionë turistë më shumë se periudha Janar-Korrik e vitit 2019, që përkon me kohën para pandemisë së Covid. Fluksi i madh i turistëve në vend është regjistruar edhe nga “Eurocontrol”, Organizata Europiane për Sigurinë në Udhëtimet Ajrore. Sipas saj nga 9 deri më 15 Gusht të vitit 2023, në Shqipëri ka patur 80% më shumë fluturime në hyrje se sa e njëjta periudhë në vitin 2019.

Në një postim të tij në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama e cilëson këtë të dhënë si shfaqje të Shqipërisë turistike në sytë e të gjithëve dhe fryt i përpjekjes së gjithanshme për të rritur turizmin në vend, si një nga faktorët që do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e ekonomisë.