Tre mjete lundruese, përfshirë një anije turistike dhe dy skafe janë bllokuar në plazhin e Potamit dhe Borshit, pasi drejtuesit e tyre shkelën perimetrin e sigurisë, duke rrezikuar kështu jetën e plazhistëve.

Pavarësisht kontrolleve të shtuara në të gjithën vijën bregdetare, policia ende vijon të konstatojë raste shkeljesh nga mjete të ndryshme lundruese. Së fundmi në plazhin e Potamit dhe Borshit në Vlorë janë bllokuar tre mjete lundruese, ndërsa drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me gjobë.

Konkretisht në Potam, Himarë, është konstatuar një mjet lundrues skaf që po lundronte jashtë zonës së përcaktuar për mjetet lundruese. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar mjetin lundrues skaf dhe kanë ndëshkuar drejtuesin e tij, me masën administrative 100 mijë lekë të rinj.

Në Borsh, është konstatuar një anije turistike që ishte bregëzuar në vendin e quajtur “Krorëz”, jashtë zonës së përcaktuar për mjetet lundruese.

Po në Borsh, është konstatuar një mjet lundrues skaf që po lundronte jashtë zonës së përcaktuar për mjetet lundruese.

Ndërsa Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Borsh kanë bllokuar 2 mjetet lundruese dhe kanë ndëshkuar secilin nga drejtuesit, me masën administrative 100 mijë lekë të rinj.

2 mjetet lundruese që kanë shkelur perimetrin e sigurisë në Borsh, janë shfaqur edhe në disa video të postuara në rrjetet sociale.

Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete.

Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në bazë të ligjit.