Dy ditë pas rrëzimit të avionit me të cilin po udhëtonte kreu i Wagner, Prigozhin ekspertët e hetimit kanë arritur të gjejnë kutinë e zezë dhe të rekuperojnë 10 trupat të cilët kanë qenë në bord.

Lideri bjellorus Alyaksandr Lukashenko deklaroi sot se kishte paralajmëruar mercenarët rusë, Yevgeny Prigozhin dhe Dmitry Utkin, të bënin kujdes se mund të përballeshin me kërcënime me jetë, si dhe këmbënguli se luftëtarët e Wagnerit do të qëndrojnë në Bjellorusi.

Nga ana tjetër Kremlini tha se sugjerimet e Perëndimit se udhëheqësi mercenar rus Yevgeny Prigozhin ishte vrarë me urdhër të tij ishin një “gënjeshtër absolute”.

Ende nuk është e qartë çfarë ka ndodhur. Autoritetet ruse heshtin dhe Moska zyrtare është tepër hermetike në publikimin e detajeve nga hetimet mbi shkakun e rënies së avionit privat ku është njoftuar se ka humbur jetën Evgenij Prigozhin.

Misteri
Ajo që rrëzoi avionin në të cilin Prigozhin po udhëtonte me komandantët e tjerë të Wagner ishte ndoshta një shpërthim në bord i shkaktuar nga një bombë ose pajisje tjetër e vendosur aty. Kjo është një hipotezë e një vlerësimi paraprak i inteligjencës amerikane.

Zëdhënësi i Pentagonit, Gjenerali Pat Ryder tha se raportet e shtypit se një raketë tokë-ajër rrëzoi avionin ishin të pasakta. Ai nuk pranoi të thoshte nëse SHBA dyshonin për një bombë apo besonin se përplasja ishte një atentat. Ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar së fundmi deklaroi se Prigozhin “mund” të ketë vdekur, por nuk ka asnjë “provë përfundimtare”.

Ndërsa ka hipoteza edhe për një ‘tradhtar’ të dyshuar: Artiom Stepanov, piloti personal i Prigozhin dhe themeluesi i kompanisë që zotëron aeroplanin. Ai nuk e drejtoi atë, por ai mund të ketë pasur akses në aeroplan.

Megjithatë, ka nga ata që ende i besojnë hipotezës se avioni është rrëzuar nga një raketë, ndërsa ka edhe shumë nga ata që insistojnë se vdekja e Prigozhin mund të jetë e trilluar.

Avioni që mbante themeluesin e kompanisë ushtarake Wagner dhe gjashtë pasagjerë të tjerë u rrëzua të mërkurën menjëherë pasi u nis nga Moska me një ekuipazh prej tre personash, sipas autoritetit rus të aviacionit civil.