Qe nga dita e Martë, 22 Gusht, kur pranë Kishës së Lacit ra njëkohësisht në tre vatra të ndryshme një zjarr i përmasave të mëdha, Sali Berisha ka bërë tre reagime, ku merr në mbrojtje autorin e dyshuar të arrestuar nga Policia. Në reagimin e parë vetëm 1 orë pas vendosjes së zjarrit, akuzonte narko-shtetin për mungesë reagimi, edhe pse Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka mbërritur në Kishën e Laçit në orën 15.17 dhe ka organizuar ndërhyrjen nga toka dhe ajri përpara se Berisha të bënte postimin. Dje në një postim tjetër Berisha akuzonte si zjarrvënës Bashkinë Kurbin, ndërsa sot ka marrë në mbrojtje personin e arrestuar nga Policia e Shtetit. Pyetja që lind natyrshëm është: pse Berisha po merret vetëm me zjarrin në Laç?!
Ndërkohë vetëm në dy ditët e fundit ka patur 42 zjarre në gjithë Shqipërinë. Përse Sali Berisha po merr në mbrojtje vetëm të arrestuarin për zjarrvënie në Laç?! Ndërkohë Policia e Shtetit ka arrestuar deri më tani gjatë kësaj vere 23 persona për zjarrvënie. Ndoshta sepse personi i arrestuar është i afërm i deputetit të Foltores së Sali Berishës, Kastriot Piroli? Policia disponon prova (celulari i personit) dhe dëshmitarë okularë që kanë parë me sy të akuzuarin duke zbritur nga pylli me pisha sapo kish filluar të dukej tymi. Gjithashtu për Policinë e Kurbinit personi dhe dy vëllezërit e tij rezultojnë të jenë me precedentë të tjerë si zjarrvënës në të shkuarën. Pyetja që shtrohet për Sali Berishën: mos vallë ke dhënë ndonjë porosi për zjarrvënie si dikur dinamitin në shtyllat e tensionit të lartë? Sepse dhe zjarri u vendos pikërisht pranë shtyllave të tensionit të lartë.