Kategoria e Parë ka mësuar kalendarin për sezonin e ri 2023-24. Këtë mesditë në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, 12 skuadrat kanë mësuar 33 javët e edicionit të ri.

Java e parë do fillojë me duele të forta, teksa Luzi i Vogël pret Flamurtarin, apo sfida derbi mes Lushnjës dhe Apolonisë. Në këtë edicion të ri, që do të ngrejë siparin më 2 shtator 2023 dhe është planifikuar të mbyllet më 8 maj 2024 do të marrin pjesë 12 skuadra që do të garojnë në tre faza dhe do të luhen në total 33 javë.

Këto 12 skuadra do luajnë me sistem vajtje-ardhje 2 fazat e para, ndërsa ndeshjet e fazës së tretë do të zhvillohen sipas skemës së përcaktuar nga Departamenti i Garave në FSHF.

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në Kategorinë Superiore, ndërsa e renditura nga vendi 3-të deri në vendin e 6-të do të jenë pjesë e fazës play-off për të përcaktuar skuadrën që do të luajë me skuadrën e renditur në vendin e tetë në Superiore.