Kombëtarja shqiptare do të luajë në shtator dy takime tepër të rëndësishme për fatet e kualifikimit në Europianin e vitit të ardhshëm. Silvinjo ka nisur nga puna dhe kjo javë do të jetë vendimtare për lojtarët që do të grumbullohen për këto dy sfida.

Ashtu siç ka deklaruar vetë braziliani, një përzgjedhje në këtë kohë, nuk është e lehtë për faktin se lojtarët kanë luajtur vetëm një apo dy javë e duke nisur nga kjo, 49-vjeçari duhet të përpilojë një listë me 23-24 lojtarë, të cilën pritet ta publikojë këtë fundjavë, pas ndeshjeve të futbollistëve kuqezinj me klubet e tyre, pasi mund të ketë edhe ndonjë lëvizje të fundit. Grumbullimi pritet të fillojë të hënën e ardhshme dhe sfida e parë do të luhet më 7 shtator në “Fortuna Arena” të Pragës, përballë Republikës Çeke.

SITUATA- Zakonisht Shqipëria ka vuajtur pjesën e dëmtimeve dhe shumë rrallë ka qenë me grup të plotë. Edhe në takimet e radhës, ashtu si në qershor, Silvinjo nuk do të ketë në dispozicion Armando Brojën dhe Marash Kumbullën. Për sulmuesin ishte vetë trajneri, i cili u shpreh se grumbullimi është shumë i vështirë, pas bisedës me mjekët e Çelsit. Broja duhet të kthehet gradualisht dhe pritet që për Kombëtaren të jetë gati në tetor. Ndërkohë, Kumbulla është i dëmtuar dhe rikthimi i tij është parashikuar në muajin dhjetor. Kujtojmë që me Moldavinë dhe Ishujt Faroe në krah të djathtë luajti Hysaj, ndërsa Mitaj majtas, por tani i pritshëm është rikthimi i Ivan Balliut që do të spostonte Hysajn majtas dhe ulte Mitajn në stol. Sa u përket mesfushorëve, i vetmi që ka shqetësime është Klaus Gjasula, i cili nuk ka qenë në ndeshjen e fundit të Darmshtadit, ndërkohë pjesa tjetër janë plotësisht të gatshëm. Ashtu siç ka raportuar gazeta më parë, Arbnor Muja do të jetë anësori, i cili do të ftohet nga Silvinjo për herë të parë. Pritet që lojtari i Antverpit të debutojë në këto dy ndeshje dhe të ndajë minutat me Jasir Asanin, teksa këtë grumbullim mund të sakrifikohet Anis Mehmeti. Krahu tjetër do të mbulohet nga Myrto Uzuni, ndërkohë në qendër janë Bajrami, Bare, Asllani apo Ramadani e Abrashi.

STRATEGJIA në sulm- Normalisht një fitore në transfertën çeke do të ishte një “bingo” për Kombëtaren shqiptare sa i përket situatës në Grupin E. Për këtë Silvinjo patjetër që ka menduar, duke qenë se kundërshtarët janë fizikisht të fortë dhe shquhen për luftën në ajër, (Çekia dhe Polonia), në sulm braziliani pritet që t’i besojë një vend Bekim Balajt ose Xhakomo Vrionit. Mësohet se sulmuesi i Vllaznisë është disi më i avantazhuar dhe mund të jetë ai që do të ndihmojë Cikalleshin në këto dy “beteja”./Panorama Sport