Dy vëllezër janë shpallur në kërkim pasi dyshohet se janë autorët e kultivimit të një parcele me kanabis në zonën e Matit.

Bëhet fjalë Xhevalin dhe Nikolin Gjergji, ndërsa është proceduar edhe kryeplaku i fshatit dhe inspektori i pyjeve.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të kontrolleve të ushtruara nga toka dhe nga ajri, me dronë të Policisë, bazuar dhe në inteligjencën policore, kanë finalizuar fazën e 5-të, të operacionit policor të koduar “Kreshta të pastra”, ku kanë konstatuar në fshatin Madhesh, 453 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, të cilët u asgjësuan me anë të djegies”, sqaron policia.

Njoftimi i policisë

Mat/Vijojnë kontrollet nga toka, me patrulla këmbësore dhe nga ajri, nëpërmjet dronëve të Policisë, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Finalizohet faza e 5-të e operacionit antikanabis i koduar “Kreshta të Pastra”.

Si rezultat i kontrolleve, bazuar dhe në inteligjencën informative, është evidentuar dhe goditur një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike.

Evidentohen në fshatin Madhesh dhe asgjësohen nëpërmjet djegies, 453 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim dy vëllezër, autorët e dyshuar të kultivimit të këtyre fidanëve.

Procedohet penalisht kryeplaku i fshatit Madhesh dhe Inspektori i shërbimit pyjor, për shpërdorim të detyrës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të kontrolleve të ushtruara nga toka dhe nga ajri, me dronë të Policisë, bazuar dhe në inteligjencën policore, kanë finalizuar fazën e 5-të, të operacionit policor të koduar “Kreshta të pastra”, ku kanë konstatuar në fshatin Madhesh, 453 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, të cilët u asgjësuan me anë të djegies.

Nga kryerja e veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorëve të dyshuar të këtij rasti kultivimi, konkretisht shtetasit Xh.Gj., 58 vjeç; N.Gj., 52 vjeç, (vëllezër), banues në fshatin Madhesh. Vijon puna për kapjen e tyre.

Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit Z.Gj., 64 vjeç, kryeplak i fshatit Madhesh dhe B.B., 47 vjeç, Inspektor i shërbimit pyjor në këtë zonë.

Operacioni policor antikanabis i koduar “Kreshta të pastra”, vijon.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.